Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti, ka nxitur reagime pas një interviste të dhënë në FRONTAL të T7, e ku ka akuzuar se Ibrahim Rugova, Veton Surroi e Fehmi Agani kishin folur keq për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Express.
“Delegacioni i Kosovës në Amerikë i cili ka propaganduar shumë kundër UÇK-së, kundër e Shqipërisë e Nanos. Ky delegacion është përbërë nga Rugova, Surroi, Fehmi Agani. Ne e kemi marrë procesverbalin e takimit në të cilin e kanë akuzu Fatos Nanon si ekstremist që po financon ekstremistët e Kosovës”, ka thënë Haliti të martën në FRONTAL të T7.
Pas kësaj deklarate, në drejtim të Halitit ka ardhur një reagim nga Veton Surroi, i cili në profilin e tij në ‘facebook’, duke thënë se delegacioni që ka takuar Clintonin e ka mbrojtur kauzën e Kosovës.
“Delegacioni që ka takuar Clintonin ka mbrojtur kauzën e Kosovës, duke kërkuar mbrojtje vendimtare amerikane për vendin ,nuk është marrë me përgojime as atëherë e as ndonjë herë tjetër”, ka shkruar Surroi në reagimin e tij.
Ndonëse Haliti ka folur për një takim me Clintonin, ai sot ka shpërndarë një procesverbal të bisedës së Ibrahim Rugovës me ushtruesin e Detyrës së Sekretarit, Strobe Talbott, në të cilën përfolen fjalët e Rugovës për temën e UÇK-së, e Rugova citohet t’i ketë përshkruar si “shumë grupe të frustruara”, veprimet e të cilëve regjimi i Millosheviqit po i shfrytëzon për të bërë masakra.
Në këtë procesverbal të bisedës së zhvilluar në vitin 1998, Ibrahim Rugova kishte kërkuar ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndalur një katastrofë të përgjithshme në Kosovë.
“Një vend të kundërpërgjigjes ndaj disa reaguesve: ja kabllogrami nga takimi i delegacionit të Kosovës, udhëhequr nga Ibrahim Rugova, me presidentin e ShBA-ve, Bill Clinton”, ka shkruar Haliti në procesverbalet e publikuara.
Haliti e ka përmendur gabimisht edhe Mahmut Bakallin si pjesë të delegacionit, ndërsa në reagim e korrigjuar këtë.