Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Ardian Gola, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Gjakovës, ka folur për sfidat dhe vizionin e tij në këtë garë zgjedhore.
“Me qenë se jemi në një garë mes dy Ardianëve, ku njëri prej tyre është aktualisht kryetar dhe një pjesë e qytetarëve dhe LVV-ja mendojnë se ai nuk duhet të vazhdojë më në këtë pozicion, por unë duhet të jem kryetar,” ka deklaruar Gola.
Ai ka theksuar se sfidat financiare të komunës janë të mëdha.
“Unë e kam të qartë që momenti kur do të marr drejtimin e komunës, borxhet janë të mëdha. Goditja më e madhe që do të më bëhet është kur të hyrat vetanake do të bien, sepse lejet ndërtimore janë në rënie, dhe kurba e tyre vjen duke u ulur. Hyrat më të mëdha vetanake vijnë nga lejet ndërtimore.”
Gjithashtu, Gola ka prezantuar vizionin e tij për zhvillimin e Gjakovës.
“Unë personalisht nuk mundem të shoh Gjakovën të zhvillohet ndryshe përpos si një vizion kombëtar. LVV-ja ka një vizion kombëtar ku Gjakova vendoset si një nyje strategjike që lidh Shqipërinë me Kosovën.”