Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ka bërë thirrje kandidatëve të kësaj force politike në Tiranë që të heqin dorë nga kërkesat për rinumërim votash. Në një reagim publik, Rama u shpreh se humbja në një garë nuk duhet të shoqërohet me humbje të dinjitetit dhe theksoi se nuk ka asnjë mundësi për devijime votash që do të ndryshonin rezultatin për shkak të diferencave të mëdha me fituesit.
“Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge. Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote!”, shkruan Rama mes të tjerash në mesazhin e tij.
Pas këtij apeli, kandidatët Xhemal Qefalia dhe Etilda Gjonaj u tërhoqën nga kërkesa për marrjen e materialeve filmike të numërimit në Parkun Olimpik. Ndërkohë, kandidatja Blerina Gjylameti, e cila humbi mandatin në garën me Olta Xhaçkën, vijon të qëndrojë në kërkesën për verifikime, duke përmendur edhe votat nga diaspora.
Drejtuesi politik i PS për diasporën, Taulant Balla, tha se i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta bëjë këtë transparencë siç e parashikon Kodi Zgjedhor, ku KQZ përzgjedh një pjesë të kutive të votimit për rinumërim.
“Kodi i ka të caktuara procedurat. Falë përpjekje të PS kur ka qenë në opozitë, për të bërë transparencë, në një fazë të dytë është vetë KQZ që përzgjedh një pjesë të kutive të votimit, që do bëjë transparencë, t’ia lëmë KQZ ta bëjë këtë transparencë, kodi përcakton që palët që mund të bëjnë ankimime janë partitë politike.
Ajo që unë thash dhe që vlen të theksohet është që secili ka të drejtë për të kërkuar, për të bërë transparencë, por falë parashikimeve të vendosura në Kod, është KQZ që do të bëj transparencën të plotë të këtij procesi në një fazë tjetër. Palët që kanë pretendime ka një mënyrë si bëhen dhe u shpjegova, kodi parashikon që partitë kanë një proces. Ju keni qenë dëshmitarë të një debati që na vonoi. Pati një pretendim nga PD për të ndarë veçmas votat që kishin ardhur nga Greqia, e rriti kohën e numërimit. Të gjitha palët ruajnë të drejtën e tyre të parashikuar në kod sa i përket ankimeve
Secili është pjesë e një ekipi. PS respekton vullnetin e të gjithë qytetarëve, dhe atyre që na kanë besuar dhe ata që s’na kanë besuar. Falë betejave të PS kur ne kemi qenë në opozitë, nga viti 2009 kemi kërkuar të hapeshin kutitë dhe të rinumëroheshin për efekt transparence. Këtë betejë që e zhvilluam sapo na u dha mundësia e kodifikuam dhe ia kemi lënë KQZ. Mos harroni që në 2021, falë transparencës së KQZ ka pasur edhe numërues që janë ndjekur penalisht”, tha Balla.