Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar ashpër lidhur me nisjen e etapës përmbyllëse të procesit më të madh gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka theksuar se dita e sotme shënon fillimin e betejës vendimtare për të vërtetën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, në Hagë po tentohet të rishkruhet historia përmes shpifjeve dhe dokumenteve të fabrikuara në Beograd, me qëllim që agresori të paraqitet si viktimë, ndërsa çlirimtarët si fajtorë.
I njohur me nofkën “Kamishi”, Haxhiu ka theksuar se kjo nuk është thjesht një betejë ligjore, por një përballje për drejtësi, për të vërtetën e luftës për liri dhe për vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës.
Ai ka rikujtuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare, e mbështetur fuqishëm nga NATO, dhe se ajo u zhvillua për liri, mbijetesë dhe dinjitet njerëzor.
Në fund, Haxhiu ka bërë thirrje për zë të fortë, unitet kombëtar dhe angazhim shtetëror, duke theksuar rëndësinë e drejtësisë për viktimat, të zhdukurit shqiptarë dhe heronjtë që ranë për lirinë e Kosovës.
“Liri për çlirimtarët. Drejtësi për luftën e drejtë të popullit të Kosovës. E vërteta nuk gjykohet, ajo mbrohet”, ka përfunduar ai mesazhin e tij.






