-8.7 C
New York
Sunday, January 25, 2026

Buy now

Kamionët bllokojnë kufijtë e Ballkanit për 7 ditë

- Advertisement -

Për të paktën shtatë ditë, duke nisur nga kjo e hënë, 26 janar, shoferët e kamionëve të mallrave nga shtetet e Ballkanit Perëndimor do të bllokojnë terminalet kufitare që ndajnë rajonin me shtetet anëtare të BE-së. Protesta fillon në orën 12:00, ku shoferët do t’i parkojnë kamionët në të gjitha pikat kufitare në këto vende dhe do të bllokojnë plotësisht trafikun e mallrave drejt Bashkimit Europian dhe tranzitin nëpër rajon.

Kamionistët mblidhen për të protestuar kundër Sistemit të ri të Hyrjeve/Daljeve të Bashkimit Europian, një sistem digjital i projektuar për të regjistruar hyrjen dhe daljen e shtetasve të vendeve të treta në kufijtë e jashtëm të Zonës Shengen, duke përfshirë të dhënat përkatëse të udhëtimit. Ky sistem, sipas shoferëve ballkanas që transportojnë mallra, kërcënon aftësinë e tyre për të punuar, duke sjellë vonesa të gjata dhe procedura më të ndërlikuara në pikat kufitare.

Kjo protestë do të prekë edhe qarkullimin e mallrave në kufijtë mes shteteve ballkanike. Autoritetet në Shkup kanë paralajmëruar se do të ketë bllokim të përkohshëm të lëvizjes së mallrave në hyrje dhe dalje të pikave kufitare që lidhin Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, duke filluar nga ora 00:01 e datës 26.01.2026.

Nga ky bllokim do të përjashtohen mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë medikamente mjekësore ose bagëti, të cilat do të lejohen të qarkullojnë normalisht.

Po ashtu, lëvizja e automjeteve të udhëtarëve nuk do të preket dhe do të vijojë pa kufizime. Autoritetet u kanë bërë thirrje subjekteve të transportit dhe qytetarëve të informohen në kohë dhe të marrin masat e nevojshme për të shmangur vonesat dhe problematikat gjatë kësaj periudhe.

“Kthimet me forcë nga BE-ja, ndalimi dhe ndëshkimi i shoferëve po përsëriten vazhdimisht. Kur flasim për gjobat, ato variojnë nga njëqind euro deri në disa mijëra euro. Shoferët kërkojnë që të mos trajtohen si turistë, dhe ndonjëherë edhe si migrantë të paligjshëm”, thotë Amir Hadžidedić, nga Shoqata e Qarkullimit të Mallrave.

Nëse shoferëve nuk u jepet mundësia të qëndrojnë më gjatë se 90 ditë në gjashtë muaj, shumë kompani do të mbeten pa punëtorë të kualifikuar. Disa prej tyre tashmë e kanë lënë rajonin dhe kanë emigruar në Kroaci, Slloveni dhe vende të tjera perëndimore.

Ky sistem i ri që funksionon për hyrjen në zonën Shengen u lejon shoferëve profesionistë të kamionëve nga vendet jo-anëtare të BE-së një qëndrim maksimal prej 90 ditësh në çdo periudhë 180-ditore, pavarësisht udhëtimeve të shpeshta ndërkufitare të kërkuara nga puna e tyre.

“Nëse i ndani 90 ditët në gjashtë muaj, shoferëve u mbeten maksimumi 15 ditë prani aktuale në zonën Shengen. Dita e hyrjes llogaritet si dita e parë, dita e daljes si e fundit, dhe këto janë transporte që duhet të jenë të shpeshta“, thotë Neđo Mandić, Përfaqësues i Shoqatës së Transportit.

Shoferët profesionistë duhet të trajtohen si punëtorë ndërkufitarë. Atyre duhet t’u jepet një vizë kombëtare afatgjatë ose leje qëndrimi kombëtare. Po ashtu, të formulohet një lloj vize pune speciale për kompanitë që merren me transportin e mallrave.

Shoqatat e shoferëve të rajonit tonë thonë se janë të detyruar të ndërmarrin këtë hap për bllokimin e kufijve, sepse industria e transportit po shënon humbje të mëdha për shkak të rregulloreve të reja të lëvizjes drejt BE-së. /Klan News/

Të ngjashme

Të fundit