Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” ka vlerësuar se gjasat për formimin e qeverisë së re nga mandatari Albin Kurti, të dielën, janë shumë të vogla.
Sipas tij, mundësia e vetme për formimin e shumicës parlamentare do të ishte nëse Kurti arrin të bindë deputetë individualë nga partitë ish-opozitare.
“Është vështirë të parashikohet nëse do të ketë shumicë parlamentare të dielën nga Kurti, pasi vetë ai nga Londra e la të kuptohet që është e vështirë të arrijë numrat. Nga ana tjetër, nuk duket se ka pasur shumë përpjekje gjatë këtyre 8 muajve të bllokadës për të ndërtuar një shumicë parlamentare, fillimisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Në këtë kuadër, mundësia e vetme për të formuar një shumicë parlamentare të dielën është që Kurti të arrijë të bindë ndonjë deputet individual nga partitë ish-opozitare. Por, në këtë rast, do të ishte një shumicë shumë e brishtë, pasi do të flisnim për një qeveri me 61, 62 ose 63 deputetë në rastin më të mirë, dhe që nuk do të ishte në gjendje të menaxhojë proceset e vështira që e presin Kosovën,” ka thënë ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Kamberi ka theksuar se gjasat më të mëdha janë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
“Mua më duket se gjasat më të mëdha janë që të shkojmë në zgjedhje, sepse edhe partitë ish-opozitare nuk po kanë shumë interes për të formuar qeverinë pa Kurtin. Nuk kemi parë gjatë këtyre muajve vullnet as nga Abdixhiku, Krasniqi dhe Haradinaj për të ndërtuar një qeveri. Andaj, duke përjashtuar ndonjë befasi, që mund të ndodhë nëse Kurti arrin të bindë ndonjë deputet individual, më duket se jemi shumë më afër zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, pasi nuk po duket se tri partitë kryesore, LVV, PDK dhe LDK, kanë interes për të formuar qeverinë e ardhshme,” ka përfunduar Kamberi.
Ndryshe, më 11 tetor presidentja Osmani, në mbështetje të kompetencave të saj kushtetuese, nënshkroi Dekretin, me të cilin mandatoi kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila me 48 mandate ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti.
Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, Kurti, është i obliguar që jo më vonë se 15 ditë nga dita e dekretimit, apo deri më 26 tetor më së largu, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.
Megjithatë, nga ajo që shihet në publik dhe deklaratat e subjekteve politike, një koalicion qeveritar duket pothuajse i pamundur, për shkak se Vetëvendosje ka vetëm 48 deputetë dhe bashkë me pakicat joserbe nuk arrin numrin prej 61 votash të nevojshme, ndërkohë që një bashkëpunim me partitë tjera nuk duket në horizont.