Home Lajme Kallas: Normalizimi i plotë, rruga e vetme e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së

Kallas: Normalizimi i plotë, rruga e vetme e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së

0
Kallas: Normalizimi i plotë, rruga e vetme e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së

Shefja e diplomacisë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se normalizimi i plotë i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është “rruga e vetme” që këto shtete t’i bashkohen bllokut.

Në një postim në platformën “X”, Kallas, e cila është ndërmjetëse e dialogut, ka mirëpritur emërimin e Peter Sorensenit në postin e të dërguarit të posaçëm të bllokut për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe në të kaluarën, BE-ja ka thënë se rruga e palëve drejt bllokut është e kushtëzuar me normalizimin e raporteve.

Sorensen ka nisur mandatin e tij më 1 shkurt, pasi mori konfirmimin nga ministrat e Jashtëm të BE-së dhe ambasadorët, raporton Rel.

Ai në këtë post do të zëvendësojë Mirosllav Lajçakun. “Faleminderit Mirosllav Lajçak për përpjekjet tuaja. Puna e bërë do të shërbejë si bazë për riangazhim”, ka shkruar Kallas.

Diplomati nga Danimarka, Sorensen do të merret vetëm me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, e jo edhe me çështje rajonale të Ballkanit, sikurse paraardhësi i tij.

Procesi i dialogut ka nisur më 2011 dhe synon normalizimin e plotë të raporteve. Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një kompromis ku asnjëra palë nuk do të ishte fituese absolute apo humbëse absolute.

Gjatë mandatit pesëvjeçar të Lajçakut, palët kanë arritur Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut. Marrëveshja, që ende nuk ka nisur të zbatohet, nuk është nënshkruar, por BE-ja ka thënë se është obligative për Kosovën dhe Serbinë.

Exit mobile version