21.3 C
New York
Thursday, June 5, 2025

Buy now

Kallas e Sorensen e kanë gati skenarin, Bislimi e pranon se Kurti s’mund të shkojë për dialog në Bruksel

- Advertisement -

 

Zëvendëskryeministri në largim Besnik Bislimi tha se dje Emisari i ri Peter Sorensen ia ka shpalosur qasen që ai dhe Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas do ta ndjekin në bisedimet Kosovë-Serbi, pa treguar detaje. Sido që të jetë, Bislimi e pranoi se Kurti nuk mund të shkojë në ato bisedime pasi vendi s’ka institucione, pavarësisht se Kurti kohëve të fundit po e thekson se “Kosova e ka qeverinë në detyrë por i duhet Kuvendi”. Bislimi dje e takoi diplomatin danez ndërsa priti edhe për një takim me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, i cili nuk ndodhi.

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, të hënën ishte në Bruksel, ku u takua me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun, Peter Sorensen.

Diplomati danez i cili e pason Miroslav Lajçakun në pozitën e ndërmjetësit, u tha se i tregoi kryenegociatorit kosovar për qasjen që do ta ketë “në fazat e ardhshme të bisedimeve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Fillimisht ai na tregoi me qasjen që ai mendon që ta ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve, qoftë në nivel të kryenegociatorëve, qoftë edhe në takimet e larta ku pastaj udhëhiqen nga znj. Kallas, dhe pastaj në takimin bilateral ngritëm një sërë temash për të cilat besojmë se është shumë me rëndësi që sa më shpejt të kemi përgjigje nga Brukseli apo zgjidhje”, tha Bislimi në një prononcim për media pas takimit me Sorensenin.

Pasi përmendi disa prej çështjeve që tha se i ka diskutuar në takim me Sorensenin, Bislimi tregoi se “ka qenë i paraparë edhe një trilateral” por shtoi se “nuk ka mundur të ndodhë për shkak se kanë ndodh komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arrit në Bruksel për shkak të vonesave në Vjenë apo diçka të ngjashme”.

Sorensen tha se takimi me Bislimin u zhvillua “në kuadër të përgatitjeve për një takim trepalësh” sot, i cili nuk u zhvillua.

Tha se diskutuan shumë çështje, ndërsa paralajmëroi një takim trepalësh “së shpejti”.

“E prita Kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi për një takim në kuadër të përgatitjeve për një takim trepalësh të Dialogut në Bruksel sot. Diskutuam për një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Planifikojmë të organizojmë së shpejti një takim trepalësh”, shkroi Sorensen në X.

Bislimi tha se për shkak të situatës në të cilën ndodhet vendi, në Bruksel “nuk mund të mbahen takime të nivelit të lartë” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kallas: Marrëveshja e Ohrit, fakt që duhet të zbatohet

Shefja e diplomacisë e Bashkimit Europian, Kaja Kallas qëndroi në Kosovë më 22 maj, gjatë një ‘touri’ në Ballkanin Perëndimor.

Ajo bëri thirrje për zgjidhjen e ngërçit politik në vend, duke thënë se “formimi i Kuvendit të ri dhe Qeverisë së re është thelbësor për stabilitetin dhe rritjen e Kosovës, si dhe për të ardhmen europiane” të vendit.

Kallas kishte thënë se “Marrëveshja e Ohrit është një fakt dhe duhet të zbatohet nga të dyja palët”, ndërsa kishte parlajmëruar diskutime me përfaqësuesit e të dy anëve “se si të ecim përpara” dhe “për hapat konkret përpara” në dialogun Kosovë-Serbi.

“Jam e gatshme të jap kontribut nga koha dhe energjia ime për këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve, sepse është në interes të qytetarëve të Kosovës, sikurse edhe të Serbisë”, ka deklaruar ajo.

Në Prishtinë, Kallas kishte treguar se me Sorensenin ishin ulur dhe kishin parë “se çfarë ka funksionuar dhe çfarë nuk ka funksionuar në këtë proces”.

Bislimi kritikohet që shkoi në dialog me Serbinë pa institucione të reja në Kosovë, thotë se s’duhej humbur “shansi”

Ndërsa Bislimi po qëndronte në Bruksel, në Kosovë dikush pyeti se “kë e përfaqëson?” ai.

Burim Ramadani, një njohës i çështjeve të sigurisë, ish-kryeinspektor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, tha se ai nuk ka “legjitimitet politik e qytetar” për t’u marrë me dialogun.

“Besnik Bislimi, çka përfaqëson ti në Dialog me Serbinë? Nuk ke legjitimitet politik e qytetar. Qeveria ka përfunduar mandatin (siç e ka përsëritur shumë herë z. Kurti kur janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve). Ti as nuk ke garuar për deputet. Asnjë votë nuk e ke dhe aktualisht shërben në një strukturë që e ka përfunduar mandatin”, shkroi ai në një postim në Facebook.

“Për çfarë po shkon në dialog? Çfarë obligimesh ke(ni)?”, e pyeti Ramadani zëvendëskryeministrin në detyrë. “Rri në Prishtinë zotëri ose shëtit kah të duash (çështje e jotja!), por mos shko në emër të Kosovës në dialog me Serbinë!”.

Tha se ai nuk mund të flasë në emër të shtetit, pasi nuk ka “as legjitimitet e as legalitet”.

Gazetari Ilir Mirena, e pyeti gjithashtu Besnik Bislimin se “në emër të kujt po flet?”.

I pyetur për t’i komentuar edhe qëndrimet e disa diplomatëve në Bruksel se nuk janë të sigurtë se a kanë kuptim takimet në situatën në të cilën ndodhet Kosova aktualisht, Bislimi tha se “janë disa tema ku Kosova mund të përfitojë”.

“Natyrisht se ka vështirësi për arsye se nuk mund të mbahen takime të nivelit të lartë, por megjithatë janë disa tema ku Kosova mund të përfitojë në qoftë se ka konstruktivitet apo qasje konstruktive nga ana e Serbisë edhe mendoj që nuk do të ishte në rregull nëse ne i humbim këto shanse për shkak se në Prishtinë ka pengesa në konstituimin e Kuvendit”, tha ai./Gazeta Express

Të ngjashme

Të fundit