Home Lajme Botë Kallas: BE-ja do të jap përparësi stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

Kallas: BE-ja do të jap përparësi stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

0
Kallas: BE-ja do të jap përparësi stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

“Në Ballkanin Perëndimor, ne vazhdojmë t’i japim përparësi stabilitetit”.

Stabiliteti do të jetë përparësia kryesore që Bashkimi Evropian do t’i jap Ballkanit Perëndimor, ka deklaruar në një konferencë për media Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Duke folur për Ballkanin Perëndimor, Kallas, ndër të tjera njoftoi se BE-ja, të hënën, ka vendosur që, Peter Sorensen, të jetë i deleguari i ardhshëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, duke e zëvendësuar kështu në këtë pozitë, Miroslav Lajçak-ut.

“Në Ballkanin Perëndimor, ne vazhdojmë t’i japim përparësi stabilitetit. Jam i lumtur të njoftoj se sot Këshilli emëroi Peter Sorensen të dërguarin special të BE-së për dialogun”, tha Kalas nga Brukseli.

Diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, ka marrë miratimin përfundimtar nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian për të shërbyer si përfaqësues i posaçëm i bllokut në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Paraprakisht, ai ka marrë pëlqimin edhe nga ambasadorët e BE-së. Danezi do të vazhdojë punën e Lajçakut nga 1 shkurti 2025. E pjesë e trashëgimisë së Lajçakut që Sorensenit do t’i duhet të “menaxhojë” është pikërisht rrjedha e tensionuar në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe mosgatishmëria e tyre për të lëvizur.

Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Ai ka shërbyer si emisar special i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Gjithashtu, ai ka qenë shef i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut. Sorensen aktualisht është këshilltar në Shërbimin e Jashtëm të BE-së për diplomaci digjitale.

Ndryshe, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në fillim të vitit 2023, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër, dhe përkundër insistimit të diplomatëve perëndimorë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ajo nuk është zbatuar, derisa tensionet mes dy fqinjëve vazhdojnë të rriten.

Exit mobile version