Analisti Vehbi Kajtazi, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, deklaroi se ish-presidenti Hashim Thaçi ka udhëhequr shumë operacione në veri të vendit.
Ai theksoi se situata më kritike ishte ajo e trenit rus, dhe siç u shpreh, kjo situatë u menaxhua në mënyrë efektive, duke ndalur përparimin e Rusisë. Kajtazi u shpreh i bindur se treni rus është ndalur me mbështetjen e madhe të Amerikës.
“Z.Thaçi ka udhëhequr operacione të ndryshme në veri të Kosovës. Po flas vetëm për veri të Kosovës, nuk po flas për periudhën sa ka qenë si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Situata më e rëndë që unë e konsideroj, por edhe e kam të lexuar, të bazuar, është treni rus. Kur është menaxhuar ajo situatë, kur shteti i Kosovës, Policia e Kosovës ka arritur ta ndalë trenin rus, i bie që e ka ndaluar Rusinë, sepse aty kishte një përplasje mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë dhe unë jam i bindur që mbështetja e madhe e perëndimit, e Amerikës në atë kohë, e kanë ndalur trenin rus”.
“Ajo ka mundur të jetë njëra prej situatave më të palakmueshme të përplasjes lindje-perëndim në territorin tonë. Dhe e fundit çka është e rëndësishmë, ai beson në drejtësi, ne duhet të besojmë në drejtësi, ne duhet të besojmë në drejtësi Kushtetuese, ligjore, që përfaqësojnë vlerat perëndimore, që nuk bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe që nuk bien ndesh me konventat evropiane, përkatësisht me Konventën e Gjenevës”, u shpreh tutje Kajtazi.