Gazetari Vehbi Kajtazi dje në debat ka folur për rastin e kryeministrit Albin Kurti dhe kryeministrit të Norvegjisë Jonas Gahr Støre. Për Kurtin, Bislimin, Gërvallën dhe diplomacinë në përgjithësi, Kajtazi tha se këta përveç që s’po dinë, edhe po rrejnë.
Kajtazi gjithashtu tha se diplomacia kosovare është skandaloze dhe çdo ditë prodhohen skandale të ndryshme.
“Duhet ta pranojmë se përfaqësim më të dobët Kosova kurrë s’ka pasur. Diplomacinë ne e kemi skandaloze. Çdo ditë kemi skandale. Përveç që s’po dinë, këta edhe po rrejnë”, është shprehur Kajtazi.
Tutje, Kajtazi tha se rasti i Besnik Bislimit është dashur që të reflektojë në diplomacinë qeveritare, megjithatë s’po ndodh.
“Shkon në takim dhe rren publikisht, rasti i Besnik Bislimit është dashur t’i kfjellë këta. Ai ta përplasë turive dhe ti thu ‘më fal se pasna rrejt pak’, tash çohesh del rren apët atje. Kjo është shqetësuese”, ka thënë Kajtazi në Dukagjin.
Zëvendëssekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge e demantoi Besnik Bislimin lidhur me përmbajtjen e bisedave në takimin e zhvilluar në Strasburg.
Pas takimit, Besnik Bislimi në një ‘tweet’ gënjeu duke thënë se në takim u diskutua rreth integrimeve të Kosovës drejt BE-së.
Nuk vonoi gjatë dhe Bislimi u demantua nga Berge, e ku shumë opinionistë thanë se ky veprim i Bislimit paraqiste skandal.
Ngjashëm ndodhi edhe me kryeministrin Kurti dje në takim me kryeministrin e Norvegjisë.
Kryeministri norvegjez Støre ka vazhduar në sulmin e tij, por kësaj here duke i përmendur specifikisht zgjedhjet e 3 prillit.
“Kjo mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet duhet të zbatohen dhe palët duhet të shmangin veprimet që dobësojnë besimin mes tyre. Prandaj e shfrytëzova këtë takim për të shprehur zhgënjimin që Kosova nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe më 3 prill, sipas mënyrës se si ishin mbajtur zgjedhjet e kaluara”, deklaroi z. Støre.
Në anën tjetër, postimi i bërë nga Zyra e Kryeministrit duket “goxha i shkëputur” nga realiteti i fjalëve të kryeministrit norvegjez.
Aty nuk përmendet fare keqardhja e deklaruar nga Støre dhe për më tepër thuhet që ky i fundit “ka shprehur interesim për propozimet konstruktive dhe progresive për Bashkëpunim Rajonal që ka bërë qeveria e Kosovës”.
Për fat të mirë, në këtë postim nuk ka ‘tag’ siç kishte pasur në një postim në Tëitter nga z. Besnik Bislimi që ishte përgënjeshtruar publikisht nga Bjorn Berge, njeriu i dytë i Këshillit të Evropës.