Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë Speciale për hedhjen e kallëzimit penal që Mimoza Kusari-Lila kishte ushtruar ndaj tij, në lidhje me publikimin e bisedës së saj me kryeterroristin e Banjskës, Millan Radoiçiq.

Në një video të publikuar të premten në Facebook, Kajtazi u bëri thirrje qytetarëve që të mos harrojnë marrëveshjen e Kusari-Lilës me Listën Serbe dhe Millan Radoiçiqin, e cila sipas tij ishte drejtuar kundër kategorive të dala nga lufta.

“Po e kthej edhe një herë këtë material [aktvendimin për kallëzimin penal] drejt jush. Juve që jetoni në këtë vend, punoni, keni zgjedhur të jetoni në këtë vend, mos e harroni një gjë: për luftën çlirimtare të vitit 1999, Albin Kurti dhe Mimoza Kusari-Lila janë marrë vesh me Sllavko Simiqin dhe Millan Radojçiqin që me i përjashtu kategoritë e dala nga lufta nga përfitimi i pagës minimale”, deklaroi Kajtazi.

Gazetari kujtoi se Radoiçiq, përveç akuzës për sulmin terrorist në Banjskë, përballet edhe me akuza për krime lufte të kryera kundër popullatës civile shqiptare në Gjakovë gjatë vitit 1999.

“Më e rënda është që, përveç terrorist, Millan Radojçiqi ka urdhërarrest nga Prokuroria Speciale se në Gjakovë ka kryer krime lufte kundër popullatës civile shqiptare. Palë ndërluftuese në 1998-99 ka qenë UÇK-ja, Millan Radojçiqi dhe forcat e Serbisë. Në vitin 2022, Radojçiqi, Mimoza Kusari-Lila dhe Albin Kurti kanë bashkëpunuar kundër UÇK-së”, theksoi Kajtazi.