Gazetari Vehbi Kajtazi ka deklaruar se aktualisht mundësia më e madhe është që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja, sesa të arrihet konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe zgjedhja e Presidentes brenda afateve kushtetuese.
Në emisionin “VV Show”, Kajtazi tha se procesi është ende në fazën e paqartë, pasi rezultatet zgjedhore nuk janë certifikuar dhe sipas tij, vetëm certifikimi mund të zgjasë deri në mes të muajit shkurt.
“Unë po e shoh mundësinë më të madhe me shku në zgjedhje të reja sesa për konstituimin e Kuvendit, Qeverisë, zgjedhjen e Presidentes”, u shpreh Kajtazi.
Ai theksoi se rinumërimi i votave mund ta zgjasë procesin deri në fund të muajit, ndërsa pas kësaj pasojnë afatet ligjore për ankesa.
“Që i bie, nëse veç ka një ankesë të vetme, 15 shkurt, dhe janë ato dit për konstituimin e organeve në përgjithësi, Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit”, shtoi ai.
Kajtazi paralajmëroi se janë tri procese institucionale që duhet të përmbyllen para datës 4 mars, përndryshe vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje.
“Janë 3 institucione që duhet të kryhen para 4 marsit, përndryshe shkojmë në zgjedhje prap”, përfundoi Kajtazi.






