Gazetari Vehbi Kajtazi ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar për mungesë të rezultateve konkrete dhe për përdorim të vazhdueshëm të çështjes së veriut si mekanizëm politik për të shmangur llogaridhënien.
Sipas Kajtazit, krahasimi mes premtimeve të Kurtit dhe realizimeve të tij tregon se kryeministri “nuk do të duhej të merrte vota, ose do të duhej të merrte shumë pak vota”.
“Në bazë të premtimeve dhe realizimit, zoti Kurti nuk ish dashtë me marrë vota apo me marrë shumë pak vota, me u kthy në atë shtratin e vet të militantizmit. Por megjithatë vazhdon me qenë nalt ndonëse jeta e qytetarëve është shumë më e shtrenjtë – shpenzimet janë diku 40% më të larta sesa në fillim të ardhjes së tij në pushtet, në fillim të mandatit,” tha Kajtazi.
Ai theksoi se përkundër rritjes së kostos së jetesës dhe, sipas tij, mungesës së rezultateve qeverisëse, Kurti arrin të ruajë mbështetjen përmes një strategjie të thjeshtë komunikimi politik.
“Megjithatë vazhdon me pas pushtetin sepse çka do që flet ti – i thu ‘kqyre hajnia’, ai thotë ‘po veriu’. I thu ‘korrupsioni’, ai prapë thotë ‘po veriu’. I thu Martin Berishaj, ai prapë thotë ‘po veriu’. Do të thotë, kjo është mbrojtja e tyre kryesore,” u shpreh ai.






