Gazetari Vehbi Kajtazi ka thënë se është çmenduri për vendin zgjedhja e Dimal Bashës nga Lëvizja Vetëvendosje si kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai ka deklaruar se degradim i madh për shtetin është Donika Gërvalla, si ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në Qeverinë Kurti II.
Kajtazi theksoi se Gërvallës i kishte thënë ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq: faleminderit që na ke ndihmuar për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë duke u gjykuar nga Specialja në Hagë.
“Kjo është me të marrë vaji, kjo është çmenduri çfarë i ka ndodhur këtij vendi. Dimal Basha, kryetar i Kuvendit të Kosovës, a ka send më turp për këtë vend, a ka ku të shkojë më poshtë? Më jepni një figurë tjetër që mundesh të thuash e të degradosh më shumë sesa Dimal Basha, kryetar Kuvendi.”
“A ka degradim më të madh se Donika Gërvalla, ministre e Jashtme? Asaj ia ka përplasur në fytyrë Daçiqi duke i thënë: ‘Faleminderit që na ke ndihmuar për ata në Hagë.’ A ka degradim më të madh? Pra, ne kemi sjellë shtetin sot në dorën-xhep të Dimal Bashës. Ky është, më nuk e përsëris këtë fjali, e kam përmendur një herë Përllumb Pilinçin, ai i Shqipërisë, ai e luan sot shtetin, ai e luan kryeministrin. Këta nuk dallojnë nga ai. Këta janë palaço, këta më nuk e lëshojnë pushtetin, por nuk dallojnë nga ai. Nuk e lëshon pushtetin dikush që ka ardhur me gjak. Nuk e lëshon Albin Kurti pushtetin, sepse ka ardhur me gjak,” ka thënë Kajtazi. /Klankosova.tv