Gazetari Vehbi Kajtazi, ka thënë se arrestimi i drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka nxitur sulme të pushtetit ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dhe kjo sipas Kajtazit është një anomali e partisë në pushtet.
Arrestimi i tij nxjerrë në sipërfaqe mendësinë e këtij pushteti, pra me të parën fillojnë sulmet kundër kryeprokurorit të Speciales zotëri Blerim Isufaj, pra po sulmohet kryeprokurori përse është arrestuar një zyrtar i një ndërmarrje publike, unë iu siguroj se nuk është arrestuar pse është melaqe ai, por që e kanë kapur me tenderë njëburimor, dallavere dhe iu kanë vu prangat”, tha Kajtazi në Rubikon.
Sipas Kajtazit, pushteti po e sheh arrestimin e Nagip Krasniqit si paralajmërim për atë që do të ndodhë me rastin e Martin Berishajt.
“Pushteti arrestimin e Nagipit (Krasniqit) po e interpreton si tërheqje fijesh që qon deri te skandali i madh i Martin Berishajt, dhe skandali i Martin Berishajt natyrisht që tërheqë prapa zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes, të cilët besoj se kanë dijeni se ku kanë shkuar ato miliona të Martin Berishajt të tërhequra kesh, po ashtu e shoh si trysni mbi prokurorinë dhe si nxjerrje në sipërfaqe e fytyrës së pushtetit, sepse deri tash presidentja po refuzon ta dekretoj kryeprokurorin e shtetit Blerim Isufaj, që është zgjedhë nga Këshilli Prokurorial, ata e dinë se këtë kryeprokuror nuk mund ta thërrasin në telefon, nuk mund t’i bëjnë trysni as për ta arrestuar dikë, as për ta ndalu arrestimin e dikujt”, tha Kajtazi.