Në një konferencë për media të mbajtur sot ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka treguar se mostrat e rastit të Astrit Deharit janë zhdukur nga laboratori i Toksikologjisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Lidhur me këtë çështje, kishte reagime të shumta prej të cilave edhe e kërkonin dorëheqjen e Haxhiut.
Deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, kritikoi Qeverinë, e cila sipas saj se rastin e Astrit Deharit e kanë përdorur vetëm si mjet për të ardhur në pushtet.
“Papërgjegjësia e kësaj Qeverie po i kushton Republikës. Kauzat e VV-së në emër të Deharit, sot treguan që kanë qenë propagandë dhe mjet për të arsyetu ardhjen në pushtet. Ministria e Drejtësisë edhe sot zgjodhi konferencat inepte për të na shitur mjegull dhe për të shfrytëzuar tragjeditë. Asnjë hap, asnjë veprim, asnjë gjë konkrete nuk bënë që ta mbajnë premtimin për Astritin. Vetëm zhurmë e fajësime për dramë politike mbi tragjedinë e Astritit. Tash kanë zgjedhur që edhe njëherë të jehojnë paaftësinë e tyre duke kërkuar fajtor për shfajësim.”, ka shkruar Kadrijaj.
Për të njëjtën çështje edhe PDK sot ka mbajtur konferencë për media.
Përparim Gruda nga radhët e kësaj partie ka kërkuar dorëheqjen e Haxhiut po ashtu.
Gruda tha se kjo dorëheqje do t’i hapte rrugë një hetimi të pavarur të këtij rasti dhe se ministrat nuk janë nuk janë drejtues të Ministrive për të raportuar skandalet, por për të punuar në mënyrë të ligjshme.