24.5 C
New York
Wednesday, July 23, 2025

Buy now

Kadrijaj: Presidentja veproi drejt, Kurti nuk e mori seriozisht afatin kushtetues

- Advertisement -

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se veprimi i presidentes për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese është i drejtë dhe i qëlluar, duke theksuar se afati kushtetues prej 30 ditësh nuk është marrë seriozisht nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Presidentja ka vepruar drejt dhe saktë. Ne si subjekt politik kemi kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese dhe kemi një vendim ku është caktuar afati njëmujor për konstituimin e Kuvendit. Fatkeqësisht, ky afat nuk është marrë seriozisht nga z. Kurti, i cili në takimet me ne aludoi që ka kaluar dhe se duhet të shkohet në zgjedhje të reja”, u shpreh Kadrijaj në Tëvë1.

Ajo shtoi se lëvizjet e fundit për formimin e Kuvendit kanë ardhur shumë vonë dhe janë të pamjaftueshme.

“Po vërehet se ka lëvizje, por këto janë vonuar. Këto duhej të ndodhnin në fillim, për të krijuar shumicën dhe për të zgjedhur kryeparlamentarin e më pas qeverinë. Nëse kjo nuk realizohet, vendimi bie vetvetiu”, deklaroi ajo.

Sipas saj, tashmë tri subjekte politike kanë kërkuar të njëjtin interpretim nga Kushtetuesja, gjë që dëshmon seriozitetin e situatës.

“Kemi një bllokadë të qëllimshme. Ne si opozitë kemi ofruar alternativa. Po të kishte vullnet politik, z. Kurti do t’i kishte marrë në konsideratë. Nëse çdo parti do të sillej si ai, nuk do të kishte fare alternativa e as marrëveshje për votim”, theksoi Kadrijaj.

Në fund, ajo tha se ky është një moment i pazakontë në skenën politike dhe mbetet të shihet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Tani është në dorën e Gjykatës të vendosë. Kjo situatë nuk ka ndodhur më parë në Kosovë”, përfundoi Kadrijaj.

Të ngjashme

Të fundit