-2.6 C
New York
Friday, December 27, 2024

Buy now

Kadiu për liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaportë të Serbisë: Pasaportat ilegale shkelin sovranitetin e Kosovës

- Advertisement -

Klisman Kadiu, këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Beslimi, ka reaguar pasi Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian miratoi të martën raportin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në territorin e Kosovës.

Kadiu, përmes një postimi në Facebook, thotë se Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian nuk reflekton realitetin e së drejtës për udhëtime pa viza të qytetarëve nga komuniteti serb.

“Qytetarët tanë nga komuniteti serb nuk janë të izoluar e as komuniteti i vetëm që nuk mund të udhëtojë drejt Evropës. Qytetarët tanë nga komuniteti serb, po vazhdojnë të pajisen me dokumenta të shtetit tonë dhe të ketë interesim të lartë, e ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qytetarëve që të pajisen me to, në mënyrë që ta shfrytëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë pas arritjes së liberalizimit të vizave për shtetin tonë. Ne vijojmë të qëndrojmë në gatishmëri e me kapacitete të plota për të përmbushur kërkesat e tyre”, ka shkruar Kadiu.

Ai tha se pasaportat ilegale të lëshuara nga Serbia shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, andaj dhe nuk mund të njihen apo të jenë dokument i vlefshëm udhëtimi.

“Ky qëndrim rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm, kur vetëm para më shumë se një viti, një tentativë e njëjtë për njohjen e dokumenteve ruse të udhëtimit të lëshuara në Ukrainë dhe Gjeorgji, u dënua dhe nuk u pranua nga vetë institucionet e BE-së”, tha Kadiu.

Sipas tij, shtyrja para e këtij propozimi, ka impakt negativ në integrimin e komunitetit serb në Kosovë, por edhe në procesin e dialogut. “Që prej momentit kur është inicuar ky propozim nga Komisioni Evropian, i kemi informuar vazhdimisht të gjitha institucionet e BE-së për pasojat dhe efektet negative të një vendimi të tillë”.

Votimi i sotëm është një hap drejt vendimit për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave serbe.

Këto pasaporta i lëshon Drejtoria Koordinuese në Beograd, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Liberalizimi i vizave për qytetarët që posedojnë pasaporta biometrike të Kosovës, ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti.

Propozimin për t’ua hequr vizat edhe bartësve të pasaportave serbe në Kosovë, e ka dhënë Komisioni Evropian në nëntor të vitit të kaluar, duke argumentuar se me një vendim të tillë, të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të përfshiheshin në procesin e liberalizimit të vizave.

Përveç qytetarëve të Kosovës që e siguruan lëvizjen e lirë këtë vit, qytetarët e vendeve të tjera të rajonit e kishin atë për më shumë se dhjetë vjet.

Por, kur janë hequr vizat për shtetasit e Serbisë, është vendosur që liberalizimi të mos vlejë për ata që kanë pasaporta të Serbisë e që banojnë në territorin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës e ka kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e tyre në liberalizimin e vizave, duke e cilësuar atë si “shkelje të integritetit territorial të Kosovës” dhe duke pohuar se të gjithë shtetasit e Kosovës, përfshirë edhe ata me përkatësi etnike serbe, mund të pajisen me pasaporta biometrike të Kosovës.

Për Qeverinë e Kosovës, problematik është edhe fakti se në pasaportat që i lëshon Drejtoria Koordinuese e Serbisë, vendbanimet në territorin e Kosovës shkruhen sikur të jenë në Serbi.

Pas votimit të sotëm pritet që i njëjti raport të votohet edhe në seancë plenare nga i tërë Parlamenti Evropian, që do të zhvillohet prej 22 deri më 25 prill.

Kjo seancë plenare do të jetë edhe e fundit në këtë përbërje të Parlamentit Evropian, pasi nga data 6 deri më 9 qershor do të zhvillohen zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian në 27 vendet anëtare të BE-së.

Raportuesi Nemec ka shprehur qëllimin që procedura për poseduesit e pasaportave serbe në Kosovë të kryhet gjatë këtij mandati të PE-së, në mënyrë që Këshilli Evropian ta formalizojë vendimin dhe ai të hyjë në fuqi.

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit