Analisti politik Bekim Kabashi ka theksuar se, deri tani, zgjedhjet janë shumë më afër se formimi i një Qeverie të re, duke shtuar se problemi qëndron te Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila ka fituar zgjedhjet dhe ka të drejtën kushtetuese për të provuar formimin e Qeverisë së re.
Kabashi ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës ka parashikuar që vendi duhet të ketë një konsensus politik, dhe partitë duhet të bashkëpunojnë për të formuar Qeverinë.
“Nga sjelljet e partive politike deri tani zgjedhjet janë shumë të të afërta sesa formimi i qeverisë së re. Problemi është te LVV-ja, në radhë të parë si parti politike që i ka fituar zgjedhjet edhe që Kushtetuta ia jep të drejtën me provu e para ta bëj zgjidhjen”, ka theksuar ai.
Ai ka potencuar gjithashtu se parimi që serbët duhet të jenë pjesë e Qeverisë është një nga nenet e Kushtetutës, dhe ky parim ka qenë i pranuar që në periudhën para ardhjes së LVV-së në pushtet.
“Kushtetuta e Kosovës e ka paraprirë që serbët të jenë pjesë e Qeverisë. Edhe deri në ardhjen e LVV-së në pushtet, është marrë si praktikë që, kushdo që qytetarët serbë vendosin të i përfaqësojnë në Kuvend, ata duhet të jenë pjesë e Qeverisë”, ka deklaruar Kabashi në eDebat Plus.
Ai po ashtu ka shtuar se, pavarësisht se Lista Serbe ka qenë pjesë e institucioneve të Qeverisë, ajo nuk ka penguar Qeverinë të ndërmarrë veprime në interes të vendit.