Ka nisur sot Liga e Shkollave, projekt i Komunës së Prishtinës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili po zbatohet nga “Prishtina Tournament”.
Ky projekt, i cili përfshin 44 shkolla fillore të ulëta dhe 13 shkolla të mesme të Komunës së Prishtinës, është më shumë se një garë. Ai promovon vlerat më të mira që sporti i futbollit i jep rinisë sonë – bashkëpunimin, respektin, disiplinën dhe shpirtin e garës së ndershme.
Liga e Shkollave është një mundësi e mirë për të zbuluar talentë të rinj, për të ndërtuar ura miqësie mes shkollave dhe për të përçuar mesazhin se futbolli është një nga mënyrat më të fuqishme për të edukuar dhe për të bashkuar brezat e rinj.
Ndeshja hapëse ishte ajo ndërmjet SHFMU “Dardania” dhe SHFMU “Faik Konica”, derisa në ditët në vijim do të vazhdojë me përballjet e shkollave të tjera.
Në hapje të kësaj gare ishin edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.