Aktorja dhe modelja afrikano-jugore, Charlbi Dean, ka vdekur të hënën në një spital të qytetit të Nju Jorkut nga një sëmundje e papritur në moshën 32-vjeçare, konfirmoi Variety të martën.
Aktorja e re kishte një rol në filmin “Triangle of Sadness”, e cili u nderua me Palmën e Artë në festivalin e filmit në Kanë majin e kaluar. Komedia e errët satirike e shkruar dhe e drejtuar nga regjisori suedez Ruben Östlund, do të shfaqet në kinematë e ShBA dhe Mbretwrisw sw Bashkuar në tetor.
E lindur dhe e rritur në Cape Town, Dean nënshkroi me një agjenci modelimi në moshën 12-vjeçare dhe bëri debutimin e saj në ekran në filmin e Afrikës së Jugut të vitit 2010, “Spud”, me Troye Sivan. Ajo është ndoshta më e njohur për interpretimin e Syonide, një personazh në serialin “CW Black Lightning”.
Kreditë e tjera të filmit përfshijnë “Death Race 3: Inferno”, “Blood in the Water”, “Don’t Sleep” dhe “Porthole”. Si modele ajo ka mbuluar revista duke përfshirë botimet e Afrikës së Jugut të GQ dhe Elle.
Në vitin 2008, ajo i mbijetoi një aksidenti me makinë që i theu kyçin e dorës, katër brinjë dhe bërrylin dhe e la me një mushkëri të dëmtuar.
Ajo ishte e fejuar me modelin Luke Volker, postimi më i fundit i të cilit në Instagram i bën homazh Dean dhe performancës së saj në “Triangle of Sadness”, duke shkruar se “nuk mund të ishte më krenar për të”.