Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka folur për rastin e keqpërdorimit të dyshuar të rezervave shtetërore, ku Prokuroria tashmë ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe tre të tjerëve.
Shala tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka heshtur dhe ikur, ose në disa raste është tallur, kur është përballur me këtë akuzë.
“Kjo është një aferë që e kemi ngritur herët si Parti Demokratike, në kuadër të Parlamentit të Kosovës, e kemi ngritur përmes kon\ferencave të shtypit, i kemi thënë këto fakte dhe argumente dhe në prezencë të kryeministrit në Parlamentin e Kosovës, e kemi sinjalizuar shumë herët publikisht që duhet të ndërpriten këto dukuri dhe këto problematika, dhe fatkeqësisht nuk ka pasur asnjë reagim qeveritar nga instancat ma të larta, në këtë rast nga kryeministri, nuk ka pasur veprim konkret për të parandalu një veprim dhe një dëm të tillë”, ka deklaruar Shala në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Kryeministri ka heshtë, ka ikë, apo është tallë me procesin deri në momentin e fundit kur praktikisht po i ik edhe drejtësisë”.
Ndërkaq për Hajdarin, Shala tha se “krenohet” me shkeljen e ligjit dhe dëmin shumëdimensional që ia ka sjellë Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
“Faktet tregojnë që edhe sot në konferencë, zonja Hajdari tha ‘krenohem’. Krenohet me dëmin financiar, material dhe juridik që ia ka sjellë Kosovës me rreth tre milionë euro”.
“Krenohet me shkeljen bazike të procedurave ligjore, krenohet me abuzimin që nuk e mban mend kush ç’bën me rezervat e shtetit në periudhë tepër delikate, krenohet me papërgjegjësinë dhe sjelljen që u bën vartësve të tyre, tashmë të dokumentuar, me fyerjet më banale që i bën”.






