Sipas mediumit italian Tuttomercatoweb, Juventusi po ndjek me vëmendje sulmuesin e Borussia Dortmund, Karim Adeyemi, ndërsa synon të përforcojë repartin ofensiv gjatë kësaj vere.
Sulmuesi gjerman 23-vjeçar është prej kohësh në radarin e ‘Zonjws sw Vjetwr’ dhe konsiderohet si një alternativë e mundshme nëse bisedimet për transferimin e Jadon Sancho nga Manchester United nuk shkojnë drejt përfundimit.
Adeyemi mund të bëhet gjithashtu një objektiv në rast se Juventusi vendos të shesë Nico Gonzalez, duke liruar një vend në skuadër dhe siguruar fonde shtesë për blerje të reja.
Borussia Dortmund e vlerëson Adeyemin me rreth 50 milionë euro dhe thuhet se është e gatshme ta shesë vetëm për një ofertë të rëndësishme.
Pavarësisht spekulimeve të reja që e lidhin me Juventusin dhe disa klube italiane, vetë lojtari ka shprehur dëshirën për të qëndruar në Dortmund, ku ndjehet mirë dhe i stabilizuar.
Deri më tani gjatë këtij afati kalimtar, nuk janë konfirmuar negociata konkrete për një transferim, por Juventusi vazhdon të mbajë interes të hapur ndërsa afati kalimtar i verës vazhdon të zhvillohet.