Juventusi e ka nisur vitin e ri 2026 me një barazim 1-1 ndaj Lecces, në ndeshjen e zhvilluar në Allianz Stadium. Bardhezinjtë dominuan thuajse tërësisht takimin, por nuk arritën të marrin më shumë se një pikë.
Lecce kaloi e para në avantazh në fund të pjesës së parë, pas një gabimi të mbrojtësit Andrea Cambiaso, nga i cili përfitoi Banda që dërgoi topin në rrjetë. Në pjesën e dytë, Juventusi reagoi menjëherë dhe barazoi shifrat në minutën e 49-të me Weston McKennie.
Skuadra e Torinos pati mundësinë ideale për të kaluar në epërsi në minutën e 66-të, por Jonathan David humbi penalltinë, duke u ndalur nga portieri i Lecces, Falcone, i cili zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme gjatë gjithë ndeshjes.
Me këtë barazim, Juventusi mbetet në vendin e pestë në renditjen e Serie A, me 33 pikë të grumbulluara.
Ndërkohë, Edon Zhegrova u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë, ku luajti 45 minuta dhe pati një paraqitje solide, duke sjellë energji dhe rrezik në repartin ofensiv.






