Drejtuesit e Juventusit janë fokusuar tërësisht te transferimi i Edon Zhegrovës, të cilin po synojnë ta realizojnë brenda kësaj jave, pra para mbylljes së afatit kalimtar të verës.
Zhegrova tek Juventusi po shihet si përforcim për sulmin dhe zëvendësim ideal për argjentinasin Nico Gonzalez, i cili është në shitje dhe pritet të largohet.
Nëse transferimi i Zhegrovës ka qenë deri më tani i lidhur me shitjen e Gonzalezit, për të cilin ka interesim vetëm për ta huazuar, Juventusi duket se ka gjetur zgjidhjen më në fund për futbollistin e Kosovës.
Është mbrojtësi Nicolo Savona, ai që do të sakrifikohet për Zhegrovën, pasi Nottingham Foresti tashmë ka ofruar 15 milionë euro.
Juventusi po negocion me Nottinghamin dhe në momentin që do të realizohet shitja e Savonas, ekipi italian do ta kompletojë blerjen e Zhegrovës.
Zhegrova 26-vjeçar ka kontratë deri vitin tjetër me Lillen, ekip që për kartonin e tij po kërkon të paktën 20 milionë euro.
Juventusi dhe Zhegrova kanë marrëveshje personale, me kontratë deri në vitin 2030 dhe pagë vjetore prej 2.5 milionë eurosh.