Juventus pret në Torino Sevillan, me këtë të fundit që është ekspertja e padiskutueshme e këtij kompeticioni. Nga momenti i vështirë që po kalonte në kampionat, ku rrezikoi fundin e tabelës, spanjollët tani janë të qetë në La Liga dhe kanë komoditetin që të mendojnë vetëm për Evropën.
Në rrugën e tyre gjejnë Juventusin, që po kalon një sezon shumë të rrëmujshëm, pas përfshirjes në një hetim nga prokuroria italiane për fshehje të bilanceve.
“Zonja e Vjetër” synon që të arrijë suksesin në Europa League, jo vetëm për të marrë një trofe, por dhe për të siguruar një biletë për në Champions edicionin e ardhshëm, pasi nuk ka garancinë nga kampionati, pas rrezikut për zbritje pikësh.
Italianët janë të pamposhtur në Europa League këtë edicion, duke fituar 4 nga 6 ndeshjet e luajtura, ndërkohë që kanë pësuar vetëm 2 gola.
Sevilla e ka fituar 6 herë Europa League-n nga 2006 deri më tani, si asnjë ekip tjetër më parë. Spanjollët duan fitoren e parë jashtë fushe në këtë kompeticion këtë edicion, pasi si udhëtues kanë zhgënjyer.
Sevilla largoi nga gara një nga pretendentët kryesorë në çerekfinale, Manchester United, me rezultatin e përgjithshëm 5-2, duke mundur në shtëpi “Djajtë e Kuq me rezultatin 3-0.