Juventusi e nisi sezonin në Serie A me tri fitore radhazi, por forma e tyre ka rënë ndjeshëm në javët e fundit.
“Zonja e Vjetër” vjen në këtë xhiro pas katër barazimeve të njëpasnjëshme në të gjitha garat, përfshirë edhe 2-2 ndaj Villarrealit në Ligën e Kampionëve, ku humbi epërsinë në minutat e fundit.
Megjithatë, bardhezinjtë mbeten një nga tri skuadrat e pamposhtura në Serie A këtë edicion (3 fitore, 2 barazime).
Ata kanë harruar shijen e humbjes në kampionat, pasi janë të pamposhtur në 10 ndeshjet e fundit (6 fitore, 4 barazime), ndërsa në shtëpi kanë fituar gjashtë nga shtatë ndeshjet e fundit në ligë (1 barazim).
Në anën tjetër, Milani i Massimiliano Allegrit, ish-trajner i Juventusit me 420 ndeshje në krye, vjen në Torino me formë të shkëlqyer.
Kuqezinjtë kanë regjistruar pesë fitore radhazi në të gjitha garat, përfshirë triumfin 2-1 ndaj kampionit në fuqi, Napolit, javën e kaluar.
Katër ndeshje pa pësuar gol në këtë seri i japin Milanit një tjetër arsye për optimizëm, duke hyrë në këtë xhiro në pozitën e parë me 12 pikë nga pesë takime (4 fitore, 1 humbje).