-2.7 C
New York
Thursday, December 26, 2024

Buy now

Jusuf Thaçi që ishte vet i përfshirë ia qet rrenat sheshit pushtetit: Bajrami ia “shpëtoi” buxhetit të shtetit 5 milionë euro

- Advertisement -

Jusuf Thaçi i cili ishte zëvendësministër në ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Tekonoligjisë në Qeverinë Kurti I, kur ministre ishte Hykmete Bajrami, ka dhënë një sqarim fije-për-pe, se çka kishte ndodhur me projektin 5 milionësh me të cilin pushteti po e akuzon Hykmete Bajramin e LDK-së.

Në fakt sipas Thaçit ishte vet minstrja Hykmete Bajrami ajo e cila e denoncoi projektin, e informoi Besnik Bislimin si dhe vet Albin Kurtin. Sipas Thaçit që ishte vet i përfshirë në këtë kohë, Bajrami ishte ajo që ia “shpëtoi” buxhetit rreth 5 milionë euro, duke e ndalur një projekt “koti”.

E plotë:

Sqarim publik në lidhje me platformën E-edukimi (e-edukimi.rks-gov.net)

Pa dashur assesi të futem në betejën politike në mes të partive politike, por i shtyrë nga detyra morale për ta mbrojtur të vërtetën, më duhet ta bëj një sqarim publik për akuzat që po i bëhen ish-ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) znj. Hykmete Bajrami në lidhje me platformën E-edukimi (e-edukimi.rks-gov.net), meqë në këtë kohë unë kam qenë zëvendësministër në MASHTI dhe kam qenë i përfshirë edhe personalisht në këtë problematikë.

Me fillimin e pandemisë në Kosovë, si MASHTI kemi filluar të hulumtojmë dhe eksplorojmë se çfarë platforma apo aplikacione të mira, të lehta e të qasshme për të gjithë të përdorim për ofrimin e mësimit në distancë (nëse mbyllen shkollat dhe pasi janë mbyllur ato). Në mesin e shumë propozimeve që kemi marrë, jemi informuar edhe për platformën E-edukimi (e-edukimi.rks-gov.net), e cila siç shihet nga domaini, është platformë shtetërore. Nisur nga ky fakt, kemi menduar që kjo mund të jetë zgjidhja më e mirë për ofrimin e mësimit në distancë, prandaj menjëherë jemi munduar të informohemi në detaje për këtë projekt. Fatkeqësisht, askush nga stafi civil e profesional i MASHTI-t nuk ka pasur informata të sakta dhe dosje me dokumente në lidhje me këtë. Të gjendur në këtë situatë, e kemi kontaktuar kompaninë që e ka zbatuar këtë projekt dhe jemi takuar me ta në MASHTI. As kompania nuk ka qenë në gjendje që ta ofrojë dokumentacionin e plotë për këtë projekt.

Pavarësisht pse nuk kemi arritur ta gjejmë dosjen e dokumentacionit të projektit, bazuar në faktin që platforma E-edukimi ka qenë në domain shtetëror (.rks-gov.net), i kemi kërkuar kompanisë që të na sigurojë qasje në administrimin e platformës, në mënyrë që të shohim a mund të përdoret platforma për nevoja të ofrimit të mësimit në distancë. Këto kredenciale kemi kërkuar që t’i dorëzohen (U.D.) Sekretarit të Përgjithshëm të MASHTI-t. Këtë e dëshmon edhe dokumenti i datës 18 mars 2020, i publikuar sot në media. Dokumenti është dëshmi e pranim-dorëzimit të kredecialeve për administrimin e platformës e-edukimi.rks-gov.net. Qartazi dokumenti nuk ka lidhje me pranim-dorëzimin e projektit si projekt në tërësi, sepse pranim-dorëzimi i projektit ka rregulla e procedura krejt tjera. Pas analizës së platformës, e kemi parë që ajo është një platformë koti që nuk ndihmon për asgjë, pavarësisht pse për të janë harxhuar mbi 5 milionë euro.

Për të mos u mjaftuar me kaq, i njëjti projekt e ka pasur edhe “pjesën e dytë” me kosto rreth 4-5 milionë euro (nuk më kujtohet shuma e saktë). Edhe pjesa e dytë e projektit ka qenë në procedurë e sipër të miratimit përmes procedurës së “marrëveshjes ndërkombëtare” (gati në fazat e fundit). Të alarmuar se çfarë ka ndodh me pjesën e parë të këtij projekti, unë dhe Ministrja Hykmete Bajrami e kemi informuar Ministrin e Financave Besnik Bislimi (sepse me sa e di unë procedura veçse ka qenë në këtë ministri) dhe Kryeministrin Kurti në lidhje me këtë projekt dhe si pasojë e kësaj është ndalur procedura e miratimit të pjesës së dytë të projektit dhe kësisoj buxhetit të MASHTI-t i janë kursyer ato 4-5 milionë euro.

Para përfundimit të këtij sqarimi publik më duhet ta përmend faktin që e di se Ministrja Hykmete Bajrami e ka denoncuar këtë projekt edhe publikisht në media gjatë kohës sa ka qenë Ministre në MASHTI. Veç kësaj, më duhet ta përmend edhe faktin që ky projekt “është përfunduar” shumë para vitit 2020, kur Hykmete Bajrami nuk ka qenë ministre.

Me respekt,

Jusuf Thaçi

Zëvendësministër në MASHTI në përiudhën 13 shkurt deri 3 qershor 2020

P.S.: Po bëhen gati një vit prej se jam tërhequr nga paraqitjet publike dhe kështu do të vazhdoj edhe pas këtij sqarimi publik, të cilin u detyrova ta bëj për shkak se, siç e thash në fillim, kam qenë i përfshirë edhe personalisht në këtë problematikë. Pra, u detyrova ta ofroj për publikun një të vërtetë që e di, pa pasur qëllim as ta mbroj e as ta akuzoj dikë

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit