Mesfushori i Bayern Munichut Joshua Kimmich ka konfirmuar se në “dimër” do të vendosë për të ardhmen pas spekulimeve të vazhdueshme për një largim nga “Allianz Arena”.
Kimmich ka qenë titullar në secilën ndeshje për skuadrën e Vincent Kompany. Gjermani gjithnjë ka shkëlqyer në mesfushë, mirëpo ka dëshmuar se është një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në botë kur nevojitet.
29-vjeçari ka konfirmuar se nuk do të vonojë shumë për të vendosur mbi të ardhmen.
“Nuk do të pres deri në verë. Do të ulem që të vendosi në dimër dhe ta shoh foton më të madhe, për të marrë vendimin e duhur”, tha ai për “ZDF Sportstudio”.
Kimmich është ndër lojtarët më të pëlqyer nga Barcelona, që e shohin si zëvendësuesi adekuat i Frenkie de Jong, të cilin e kanë vendosur në shitje dhe shpresojnë ta shesin në verë.
Mirëpo, jo vetëm katalunasit kanë interesim për të. Ndër destinacionet e mundshme janë edhe Arsenal, Liverpool, Manchester City, Real Madrid dhe PSG.
Raportimet e fundit thonë se Kimmich është më afër rinovimit se largimit, mirëpo vetë lojtari do të tregojë publikisht në muajin e ardhshëm.