12.1 C
New York
Tuesday, October 28, 2025

Buy now

Joshje dhe propagandë: Rikthehet fronti me ‘gra të rreme’ i VV-së në prag të balotazhit dhe zgjedhjeve të reja

- Advertisement -

Një burrë rreth të gjashtëdhjetave dëshiron të njihet, në aspektin romantik, me “Selvije Berishën“. Këtë ia shkruan dhe ia shpreh në rubrikën për komente në fotografi të profilit të “Facebook”-ut. Kjo e fundit e ka tërë “dukjen reale” të një personi, grua, rreth tridhjetë vjeç. Dhe, edhe e pashme. Ka fotografi me emër dhe mbiemër. Megjithatë, ajo nuk është “Selvija” për të cilën burri gjashtëdhjetë (mesatarisht) vjeç mendon se është. “Selvija” është një personazh/profil i ndërtuar në mënyrë të rreme për të diseminuar e shtrirë propagandë për Vetëvendosjen dhe për të fyer e shejtanizuar të gjithë ata që janë jashtë llojit të VV-së: politikanë, shoqëri civile, gazetarë e media, biznesmenë dhe qytetarë krejt personalë që shprehin ndonjë mendim. Selvija është “grua e rreme”, e ndërtuar me identitet e gjini të rreme, për të joshur ndjekës dhe për ta bërë propagandën me efikase: kur ajo vjen nga një… “grua”.

Një “scroll” poshtë e më poshtë profilit të saj, “Selvija” është “e raportirur” me pa fund përmbajtje politike që shkrep çdo 10 minuta – me mesatare prej qindra postimesh në ditë: “Hajna, bre ju mbetë në fyt”, shkruan Selvija për një darkë ku shihen Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, Behgjet Pacolli, Kadri Veseli e Fatmir Limaj. Por Selvija s’është as e para, as e fundit dhe as kryesorja e llojit të “gruas së rreme”. Ato janë në dhjetëra e qindra, për çka “Nacionale” do t’i sjellë top dhjetë më agresivet dhe më me ndikim e me audiencën më të madhe.

#2

E famshmja, kampionia e padiskutueshme e peshave të rënda të propagandës së zhanrit “grua e rreme”: Jona Çitaku. Madje për tetë muaj ka ndryshuar shumë edhe në pamje. Plus, ka korrigjuar “Q/Ç”-në e mbiemrit. E kishte Qitaku, tash e ka Çitaku. Kjo ka aq audiencë dhe angazhime, saqë postimet e saj i pëlqejnë dhe i shpërndajnë edhe zyrtarë të lartë të Vetëvenodosjes (si Elvis Hoxha e Hysamedin Feraj e Haxhi Avdyli). Në membranën e realitetit të “grave të rreme” asaj s’i vjen shtatit asnjëra dhe thjesht gravitojnë rreth saj. Identiteti i saj, me ç’është raportuar, mund të jetë edhe i ditur për hetuesit policorë. Kjo gjë, megjithatë, mbetet të konstatohet nga institucionet. Përmbajtja që shpërndan ajo s’ka nevojë për interpretim: është demonizim absolut politik dhe publik ndaj gjithkujt kritik ndaj Vetëvendosjes.

Krahasim: “Jona Çitaku” sot dhe “Jona Qitaku” para tetë – nëntë muajsh:

#3

Enter, “Sara Femi Blakqori”…Sarën e njihnim për “Sabri Gashi”, të cilit/ës i kishte mbetur gabim “username”-i, por ajo, ndonëse njëherë iu mbyll profili i vjetër, i ka marrë sërish këmbët. Dhe është kthyer, me helm të rienergjizuar. Ajo i është përveshur punës për të lajmëruar se “Kurti 3 po vjen” dhe është e afërt me komentuesit e vet. Atë edhe e pyesin si të ishte autoritet partiak: “Me cilën parti (koalicion)? Për hajr na koftë”.

“Sara”, ndonëse ishte përveshur para dy-tre muajsh për të riskalitur figurën e Fatmir Limajt me fjalët e Albin Kurtit se “lajm i mirë që Komandant Çeliku është rikthyer në Kuvend”, tash e ka ndërruar: “Fatmir Limaj me Serbinë” dhe “plaçkitës”.

  • “Për Fatmir Limajn ska çka flitet, e kam thënë disa herë: ky njeri ka pranuar që Aleksandar Vuçiq t’ia kalonte pragun zgjedhor në vitin 2019. Plaçkitja e parave sa ishte ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit është rast i vërtetuar, me tenderë për bojlera kanë vjedhur miliona. Mos të flasim për punësimet me listë dasme”, thotë “Sara”.

“Sara” e ka mbështetjen e parezervë, shpërndarëse, miratuese, promovuese të “Jona Çitakut” (me të cilën e ka të regjistruar datën/ditën e njëjtë të hapjes së profilit në Facebook) dhe “Selvije Berishës”. Ajo, me që të dyja, funksionojnë si trio e koordinuar.

#4

Në radhë vjen “Gona Hoxha“, personazh më “incognito”. Ajo ushqen pa fund grupe pro Vetëvendosjes me përmbajtje, dhe jo në profil të vetin. E ka mesataren e postimeve deri në qindra. Kujdeset që anëtarëve të atyre grupeve pa fund t’ua (ri)kujtojë se kundër kujt po luftojnë: “Hajvanave” dhe “të korruptuarve”. “Nkiss nkiss ajlove ju slobodan”, shkruan ajo teksa nxjerr një video të Vlora Çitakut në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi. Ajo shkruan, me vëllime të nalta: “Qe Shk***t”.

#5

Enter, “Anita Ukaj”. Kjo e fundit nuk është çfarëdo. Është shtytëse e madhe e diskurseve ditore, të atypëratyshme, të nevojave ditore politike. Del një qëndrim publik i VV-së për një çështje të caktuar dhe futet ajo: Kosova në dy traka, VV-ja si shpëtimtare e kombit, dhe të gjithë të tjerët “me Serbinë”. Në cilën kthesë do t’ia mbani? Kah Beogradi, apo Bashkimi Kombëtar. “Anita Ukaj” qartëson dilema…

  • “Ashtu- ashtu, na i patën vjedhë votat në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Kur papritmas ra serveri i KQZ-së. Kështu që, shkojmë në zgjedhje të reja! ️”, shkruan ajo.

Peshat e rënda vazhdojnë: famëkeqja si “Marigona Fona” vazhdon të jetë “hardcore” dhe agresive në përmbajtje, e përcjellë nga “Alba Murtezi”, “Nita Nita”, dhe “Era Rexha”.

Krejt për fund…

  • “Je shumë e bukur, super yll”.

Kështu i shkruan një tjetër burrë, një tjetrës “grua” të rreme, alamet admine e grupeve me përmbajtje të madhe pro Vetëvendosjes, “Tringa Elshani”. Ajo s’e ndal gjuhën për “Sami Lushtak Hajnin dhe të Serbisë”. E kryen me orar të plotë punën. Audiencë, sa të duash… /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit