Në Bruksel janë duke qëndruar gjashtë ministrat e Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosova.
Të njëjtit janë ftuar që të jenë pjesëmarrës në një drekë joformale për herë të parë me ftesën e shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Pjesë e këtij takimi janë edhe kryediplomatët e Bashkimit Evropian.
Pas kësaj darke, Borrell është deklaruar para mediave, ku ndër të tjerash foli edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në këtë takim ndër të tjerash siç njoftoi Borrell, do të bisedohej për Ballkanin Perëndimor, si dhe për ndikimin e luftës në këtë rajon , duke përfshirë këtu edhe krizën ekonomike.
Borrell foli edhe për propagandën e madhe ruse që ka kapluar Ballkanin Perëndimor, si dhe për rrezikun me të cilin ballafqohen shtetet të cilat tashëm konsiderohen jo miqësore nga ana e Rusisë.
“Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës dhe i kanë vendosur Rusisë sanksione, përpos njërës”, tha Borrell, duke iu drejtuar kështu shtetit serb.
“Kosova as që pati nevojë t’i vendoste sanksione Rusisë, pasi që ka shtete të BE-së, që nuk e njohin pavarësinë e saj, por ajo e bëri një gjë të tillë”, theksoi tutje Borrell.
Gjithashtu kryediplomati i BE-së tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave dhe se një gjë e tillë duhet të bëhet sa më parë.
“Komisioni Evropian, pjesë e të cilit jam edhe vetë, disa herë ia ka paraqitur Këshillit Evropian se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave. Ne e përkrahim liberalizimin e vizave”, shtoi ai.
Ai theksoi po ashtu se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të rrezikuara nga Rusia, e për këtë duhet që të veprojë Bashkimi Evropian, duke hapur menjëherë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.