Xhudisti kosovar Jon Kuka, nën drejtimin e kampiones olimpike Majlinda Kelmendi, ka arritur një sukses të rëndësishëm duke fituar medaljen e bronztë në këtë garë prestigjioze. Paraqitja e tij ishte bindëse dhe plot siguri, duke treguar rritje të vazhdueshme në nivelin garues.
Në duelin vendimtar për vendin e tretë, Kuka triumfoi me Ippon ndaj xhudistit nga Luksemburgu, Ugo Marchiori, duke e mbyllur ndeshjen në mënyrë autoritare. Rruga drejt medaljes nuk ishte e lehtë, pasi në repasazh ai mposhti po ashtu me IPPON xhudistin nikoqir El Mehdi Boudarham, duke eliminuar një rival të fortë përpara publikut maroken.
Përveç Jon Kuka, Kosova po përfaqësohet edhe nga xhudistja Arba Hasanaj, e cila gjithashtu është në garë për medaljen e bronztë dhe pritet të zhvillojë ndeshjen e saj vendimtare.
Këto rezultate dëshmojnë edhe një herë nivelin e lartë të përgatitjes dhe punës së shkollës kosovare të xhudos në arenën ndërkombëtare






