Ish-presidenti amerikan Joe Biden po kalon një fazë të re trajtimi pasi zbuloi në maj se vuan nga një formë agresive e kancerit të prostatës.
Zëdhënësi i tij tha se ai tani po i nënshtrohet radioterapisë dhe trajtimit hormonal “si pjesë e një plani trajtimi”.
Trajtimi me rrezatim pritet të zgjasë pesë javë dhe shënon një fazë të re në kujdesin e tij. Ai tashmë ka marrë një ilaç hormonal në formë pilule.
Biden, i cili mbush 83 vjeç muajin tjetër, thuhet se “është mirë”, sipas NBC News.
Muajin e kaluar, Biden iu nënshtrua gjithashtu një trajtimi për kancerin e lëkurës të njohur si kirurgjia “Mohs” dhe mbante një fashë në ballë gjatë paraqitjeve publike.
Duke zbuluar gjendjen e tij në fillim të këtij viti, ish-presidenti tha se u diagnostikua pasi u vizitua nga një mjek për simptoma urinare.
Një deklaratë tha se ai kishte një “formë më agresive të sëmundjes”, por që dukej se ishte “e ndjeshme ndaj hormoneve, gjë që lejon një menaxhim efektiv”.
Kanceri i prostatës është shumë i zakonshëm tek burrat e moshës së Bidenit, por shumë prej tyre kanë një formë me rrezik të ulët që kërkon vetëm monitorim.
Katër vitet e pushtetit të Biden përfunduan në janar kur presidenti i tanishëm amerikan Donald Trump mori pushtetin pasi mundi pasardhësen e tij të mundshme, Kamala Harris.
Viti i fundit i presidencës së tij u shoqërua me shqetësime për shëndetin e tij fizik, duke kulmuar në një debat televiziv katastrofik që e bëri atë të tërhiqej përfundimisht si kandidat, shkruan Skynews.