Reprezentuesi portugez Joao Cancelo është përfshirë në një incident të pakëndshëm gjatë pushimeve në rajonin e Algarves, pas përfundimit të sezonit me klubin saudit Al-Hilal.
Sipas të përditshmes portugeze Correio da Manhã, ngjarja ka ndodhur në klubin e njohur të natës “Bliss”, në qytetin bregdetar të Vilamouras.
Dëshmitarët raportojnë se situata eskaloi pas një debati verbal, kur Cancelo u zhvendos nga një zonë më e qetë në një pjesë më të mbushur me njerëz brenda lokalit.
Mbrojtësi 30-vjeçar dyshohet se ka goditur me grusht një person, duke i shkaktuar lëndime në fytyrë dhe gjakderdhje në gojë, që solli ndërhyrjen e menjëhershme të ndihmës së shpejtë dhe më pas të policisë.
Autoritetet kanë nisur hetimet, por deri më tani nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare ndaj futbollistit.
Cancelo u transferua verën e kaluar nga Manchester City te Al-Hilal për 25 milionë euro, pas një krisjeje në marrëdhënien me trajnerin Pep Guardiola.
Ai ka pasur gjithashtu periudha huazimi te Bayern Munich dhe Barcelona. Me kombëtaren e Portugalisë ka zhvilluar 60 ndeshje dhe ka shënuar 10 gola.