Qindra protestues e mbushën hapësirën e stacionit të famshëm të trenit në Nju-Jork, “Grand Central Terminal”, gjatë periudhës së ngarkuar me udhëtarë të premten në mbrëmje, duke brohoritur me slogane e duke shpalosur pankarta për të kërkuar armëpushim në Gaza.
Të veshur me rroba të zeza në të cilat shkruhej “Hebrenjtë duan armëpushim tash” dhe “Jo në emrin tonë”, të paktën 200 protestues u ndaluan nga policia e Nju-Jorkut dhe u nxorën nga stacioni me duar të lidhura, raporton agjencia “Associated Press”.
Policia lokale tha se protestuesit u dërguan për pak kohë në ndalje, iu lëshuan fletëthirrje dhe u liruan dhe se numri i saktë i të ndaluarve do të bëhej publik më vonë.
Skena në stacionin e famshëm ishte e ngjashme me një protestë në Uashington javën e kaluar, ku grupet hebraike për të drejtat e njeriut, përfshirë grupin “Zëri Hebraik”, u futën në një ndërtesë të zyrave të Kongresit. Më shumë se 300 persona u arrestuan atje për pjesëmarrje në protestë ilegale.
Izraeli i shtoi sulmet ajrore në Rripin e Gazës të martën në mbrëmje, duke shkaktuar ndërprerje të internetit e një pjese të madhe të komunikimit për 2,3 milionë banorët e enklavës nën rrethim. Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se mbi 7.300 njerëz janë vrarë nga fillimi i luftës dhe se mbi 60 për qind e viktimave ishin të mitur e gra.
Ushtria izraelite ka thënë se është duke i zgjeruar operacionet tokësore në Gaza, ku është zotuar se do ta shtypë Hamasin, pasi ky grup kreu një sulm të befasishëm para tri javëve në jug të Izraelit, duke lënë të vrarë mbi 1.400 njerëz.