“Jo”, është përgjigjja e partive ish-opozitare të vendit për votimin e formimit të qeverisë së re në seancën e 26 tetorit.
Kjo seancë vjen pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit të këtij viti.
PDK, LDK dhe AAK thonë se nuk do të votojnë për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurti, për të vazhduar edhe një mandat qeverisës.
Klankosova.tv ka kontaktuar deputetin e PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se nuk do ta ndihmojnë Lëvizjen Vetëvendosje në formimin e ekzekutivit të ri.
“PDK nuk ka votë për Qeverinë Kurti”, është shprehur Tahiri për Klankosova.tv.
I njëjti nuk ka dashur të flasë për mundësitë e formimit të qeverisë së re të LVV-së të dielën.
“Këtë pjesën tjetër, se a ka gjasa të formohet apo jo, nuk dua ta komentoj. Mbetet të shihet”, tha Tahiri.
Në të njëjtën linjë mendimi me partinë që doli e dyta nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila u rendit e treta.
Nënkryetari i këtij subjekti politik, njëherësh deputet, Lutfi Haziri, për Klankosova.tv u shpreh i prerë në këtë drejtim.
“Jo, nuk ka gjasa, sepse nuk ka marrëveshje politike!”, ka thënë Haziri.
Ashtu si PDK-ja dhe LDK-ja, njëjtë janë shprehur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Time Kadrijaj, tha për Klankosova.tv: “Jo, Aleanca nuk ka vota për Qeverinë Kurti”.
Kadrijaj tha se nuk pret që seanca e ardhshme e Kuvendit të Kosovës t’i sjellë vendit një qeveri të re. Ajo sqaroi se nuk ka parë ndonjë vullnet nga LVV-ja për të ecur përpara me këtë çështje.
“Nuk kam parë ndonjë angazhim për të formuar Qeverinë të dielën, përveç nëse kanë bërë ndonjë marrëveshje individuale. Me deklaratat që kam parë nga partitë e tjera politike, asnjëra nuk është e gatshme për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje”, pohoi Kadrijaj.
Për çështjen e formimit ose jo të qeverisë së re ka folur edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila në një intervistë për Deutsche Welle ka thënë se, nëse nuk ka marrëveshje të dielën, do t’i ftojë të gjitha partitë për konsultime, nëse ndonjëra mund të krijojë shumicën.
“Nëse ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. E nëse s’ka marrëveshje, si presidente do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush të krijojë shumicën. Mendoj se është herët të flasim për zgjedhje të jashtëzakonshme, por kjo mbetet alternativë nëse nuk krijohet shumica”, u shpreh Osmani.
Përveç problemit me formimin e ekzekutivit, Kosova për muaj të tërë kishte mbetur edhe pa Kuvend të konstituuar, për shkak të mosvotimit të Albulena Haxhiut si kandidate për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Më pas, matematikat e LVV-së ndryshuan, pasi më 26 gusht propozoi Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit të Kosovës, i cili mori votat e PDK-së dhe një pjese të AAK-së. Propozimi i Bashës erdhi pasi partitë në fjalë ishin zotuar se do të votonin këdo që nuk ishte pjesë e Qeverisë Kurti 2.
Megjithëse u pa një dritë në fund të tunelit, ngërçi për konstituimin e Kuvendit vazhdoi sërish për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, pasi partitë politike nuk votuan përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë kryesore serbe në Kosovë, e cila dirigjohet nga Beogradi.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila përcaktoi se 10 tetori ishte afati për zgjedhjen e nënkryetarit, deputetët zgjodhën Nenad Rashiqin si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e mandatoi udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re. Sipas Kushtetutës, Kurti ka 15 ditë afat për t’i paraqitur Kuvendit përbërjen dhe programin e qeverisë së re.
Afati përfundon më 26 tetor. Kuvendi i Kosovës njoftoi sot se seanca është thirrur për të dielën në orën 10:00.






