17 C
New York
Wednesday, October 22, 2025

Buy now

“Jeni në depresion”, Rama nxit reagime me deklaratat në Londër – çfarë shkruan gazetat e njohura atje

- Advertisement -

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama në Londër këtë të martë kanë shkaktuar zemërim në Britani. Rama tha se Brexit e çoi Britaninë në “depresion” dhe në shtimin e më shumë emigrantëve me gomone të vogla. “Daily Express” i quan këto si “komente shpërthyese mbi vendimin historik për t’u larguar nga BE-ja” duke cituar deklaratat e Ramës se ato me emigrantë “disa i quajnë anije të vogla, disa i quajnë anije të Brexit-it”.

“Ju e latë Evropën sepse donit më shumë lumturi. Tani jeni në depresion” – citon “Daily Express” fjalët e Ramës. Shkrimi thekson se të mërkurën Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, do të presë udhëheqës nga Ballkani Perëndimor – përfshirë zotin Rama – me qëllim forcimin e përpjekjeve për të goditur bandat e kontrabandës dhe për të parandaluar kalimin e emigrantëve nga Evropa.

“Ju e latë Evropën sepse donit më pak anije dhe keni më shumë anije. Ju e latë Evropën sepse donit më shumë investime. Keni më pak investime. E latë Evropën sepse donit më shumë lumturi. Tani jeni në depresion” – ishin deklaratat e Ramës.

“Daily Express” nënvizon se Rama kritikoi Brexit duke pretenduar se bashkëpunimi më i ngushtë përmirëson përpjekjet për të luftuar migracionin e paligjshëm ndërsa nuk kanë munguar shigjetimet edhe për Nigel Farage.

“Nuk varet nga ne të vendosim se kush do të zgjidhet dhe kush jo në Britani. Por në fund të fundit, kemi parë më shumë se një herë se puna e Qeverisë është diçka krejtësisht e ndryshme nga poezia e opozitës. Kështu që nuk shoh ndonjë problem kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me këdo. Dhe, në fund të fundit, besoj se Farage nuk është problemi, Farage është një pasqyrë e problemeve që ka njëfarë kapaciteti teatral për të qenë tërheqës, por problemet janë diku tjetër” – citohet Rama.

Por “Daily Express” citon një burim nga Ministria e Brendshme Britanike, i cili ishte në detyrë kur “dhjetëra mijëra” shqiptarë kalonin kanalin me gomone. “Edi Rama nuk ka idenë se për çfarë po flet. Nëse ai do ta bënte vërtet punën e tij, shqiptarët nuk do të kishin ikur për në Mbretërinë e Bashkuar në turma. Ai duhet të shpenzojë më pak kohë duke folur në publik dhe më shumë kohë duke marrë mbrapsht numrin rekord të kriminelëve shqiptarë që mbushin burgjet tona” – tha burimi për median britanike.

Ndërsa tabloidi “The Mirror” e quan Ramën “kryeministri vizitor” duke cituar deklaratat e tiij se “Britania po paguan çmimin për largimin nga BE-ja”.

“Udhëheqësi shqiptar Edi Rama u tha atyre që kritikojnë njerëzit nga vendi i tij të “mbyllin gojën” (Shut the fuck up) dhe u tall brutalisht ish-Sekretaren e Brendshme të Partisë Konservatore, Suella Braverman. Ai vlerësoi qeverinë laburiste për përparimet e bëra në migrimin e paligjshëm – duke e krahasuar këtë me “poezinë e opozitës” – citon “The Mirror”.

“Rama tha se thënë se migrantët ishin bërë “kurban” për Brexit-in. Ai tha se ishte ende i zemëruar me ish-Sekretaren e Brendshme Suella Braverman që iu referua “kriminelëve shqiptarë” në vitin 2023. “Meqë ra fjala, ku është ajo?” tha ai me shaka. Dhe shtoi: “Thjesht mbaje mend, e di, mos u merr me shqiptarët sepse nëse shqiptarët të mallkojnë, thjesht zhdukesh” – citon “Mirror” deklaratat e Ramës.

Rama u bëri thirrje politikanëve britanikë të “mos i përmendin shqiptarët për asgjë tjetër përveçse për arsye shumë të mira”. “Tani (ata) po u japin energji, po u japin shërbime, po punojnë shumë, janë krenarë që janë pjesë e këtij komuniteti të madh njerëzish, e kësaj shoqërie të larmishme. Dhe kështu kushdo që i preku ata duhet ta mbyllë gojën” – citohet Rama.

“The Independent” u ka bërë gjithashtu jehonë deklaratave të Ramës. Ajo nënvizon se rreth 22 000 njerëz u kontrabanduan nga bandat përgjatë rrugëve përmes Ballkanit Perëndimor vitin e kaluar. Sipas saj është bërë gjithnjë e më e rëndësishme të trajtohet migracioni i paligjshëm në të gjithë Evropën./Lapsi.al/

Të ngjashme

Të fundit