16.8 C
New York
Wednesday, September 10, 2025

Buy now

Javën tjetër nis gjykimi për spiunazh ndaj ish-zyrtares së OSBE-së

- Advertisement -

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 16 shtatorin 2025 si datë për mbajtjen e seancës fillestare ndaj Jelena Gjukanoviq, ish-zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë, e cila ngarkohet për spiunazh.

Këtë e ka konfirmuar Melihate Gashi, zëdhënëse e Gjykatës.

“Referuar kërkesës tuaj lidhur me seancën fillestare rreth rastit të J.Gj., nga gjyqtari i çështjes jemi njoftuar se lidhur me rastin, seanca e shqyrtimit fillestarë është caktuar të mbahet me datë 16.09.2025 në orën 09:00”, tha Gashi.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Gjukanoviqit, e cila ngarkohet se ka ndihmuar me informacione Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë.

“J.GJ. akuzohet se nga data e pacaktuar, e deri në momentin e arrestimit më 28.02.2025, në cilësinë e zyrtares të Misionit të OSBE-së në Kosovë, me vetëdije dhe me dashje ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Gjukanoviq ngarkohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s.

“E pandehura, e cila mbante pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Regjionin e Mitrovicës, akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë cënuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë”, njoftoi PSRK.

Prokuroria thotë se e akuzuara kishte marrë udhëzime nga tani i dënuari për spiunazh, Aleksandër Vllajiq. Po ashtu, thuhet se ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës

“J.GJ.nga pozita e saj në OSBE, dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh A.V., gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, poashtu ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës”, thuhej më tej në njoftim.

Jelena Gjukanoviq ngarkohet se informacionet e siguruar i transmetonte tek zyrtarët e lartë të BIA-s.

“Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J.GJ, janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në Beograd të Serbisë”, njoftoi Prokuroria.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, e pandehura të shpallet fajtore për veprën penale që i vihen në barrë dhe ndaj saj të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi./Betimi për Drejtësi/

Të ngjashme

Të fundit