21.2 C
New York
Thursday, August 28, 2025

Buy now

Javë e arrestimeve për pushtetin: Asamblisti me 11 mijë doza drogë, dy zyrtarë në MINT e dosti i Kurtit

- Advertisement -

U arrestua asamblisti i VV-së në Prishtinë, Besnik Mujeci, pasi u kap me mbi 11 mijë doza ekstazi në Shqipëri. U arrestuan Irfan Lipovica e Hafiz Gara për aferën gruri e vaji në MINT, dhe dosti i kryeministrit Ridvan Muharremi, për të njëjtën aferë.

Asamblisti me drogë

Java nisi e qetë. Deri atëherë kur në mediat në Shqipëri nisi të raportohet për një grup trafikantësh që u kapën në Tiranë. Në mesin e tyre ishin edhe dy nga Kosova. E në mesin e atyre nga Kosova, doli të jetë asamblisti i Vetëvendosjes në Prishtinë, Besnik Mujeci.

Ai u kap me mbi 11 mijë doza ekstazi në vlerë mbi 400 mijë euro. Droga dërgohej nga Kosova me autobusë, duke e shfrytëzuar sezonin turistik. Mujeci që vetëm para pak muajsh ishte emëruar nga VV-ja aksionar në ndërmarrjen Stacioni i Autobusëve.

Më vonë, Gjykata në Tiranë caktoi masën e paraburgimit pa afat për të gjithë të dyshuarit në këtë aferë.

Pasi dërgesat shkonin në Shqipëri, shpërndaheshin nëpër vende bregdetare.

“Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Mujeci u përjashtua nga Lëvizja Vetëvendosje

Pranga për aferën Vaji dhe Gruri

Disa javë pasi gazeta Nacionale ekskluzivisht publikoi incizimet që dëshmonin për dallaveret me rezerva shtetërore, Prokuroria e Policia nisën një aksion qysh në mëngjes të premten.

Cak ishte shtëpia e Ridvan Muharremit, restauranti i tij dhe Ministria e Tregtisë e Industrisë. Dosti i Kurtit, Ridi, u arrestua. Njëjtë siç u arrestuan edhe Hafiz Gara e Irfan Lipovica. Dy të fundit dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kurse Muharremi për dhënie të ndihmës.

Në kundërshtim me ligjin sipas prokurorisë, Gara e Lipovica mundësuan blerjen e mallrave në rezervën shtetërore. Vaji e gruri nuk erdhën fare në Kosovë edhe pse paratë ishin paguar, kurse mungonin afër 50 tonë nga gruri. Në total vlera e dëmit llogaritet mbi 600 mijë euro.

“Është i pakontestueshëm fakti se, e tërë procedura e blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të Kosovës për vitin 2022 është zbatuar në kundërshtim me ligjin dhe procedurat”, thuhet në dosje.

“Nga veprimet, mosveprimet, lëshimet dhe shkeljet e kryera nga të pandehurit, ka rezultuar se vendi nuk është pajisur me produkte të rezervës shtetërore, duke shkaktuar dëm material në lartësi të paktën 601.940 euro, mirëpo shuma e saktë e dëmit, vlerësohet të jetë shumë më e lartë se kjo, por që saktësisht do të përcaktohet pas verifikimeve dhe angazhimit të ekspertit përkatës”, thuhet në dosje.

E pushteti në vend të distancimit të kësaj afere kanë zgjedhur sulmin. Duke nisur nga kryeministri Albin Kurti e deri te ministrat e deputetët, kanë sulmuar mediat, prokurorët, gjykatat duke i vlerësuar të kapura dhe të lidhura me regjimin e vjetër. /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit