23.7 C
New York
Sunday, August 3, 2025

Buy now

Java vendimtare: Sytë kah Gjykata Kushtetuese

- Advertisement -

Kosova po hyn në javën e rëndësishme të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo ndërlidhur me krizën politike dhe faktin që Kuvendi për muaj të tërë nuk arriti të konstituohet.

Afati deri kur pritet një vendim nga Kushtetuesja, është 8 gusht, pasi kjo ka qenë data e vendosur si masë e përkohshme.

Dikush e përmend si mundësi shkuarjen në zgjedhje, dikush një aktgjykim tjetër që lejon vetëm votimin e hapur, e kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, pretendonte se afati 30-ditor nuk kishte nisur të rrjedhë pasi nuk ka pasur votim.

Megjithatë, përgjigja për këtë pritet së shpejti.

Albulena Haxhiu që është edhe kandidate për kryetare të Kuvendit, së voni, tha se zgjedhjet duket të jenë opsioni i vetëm në këtë situatë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte shpallur vendimin e ri të saj i cili ua ndalon deputetëve të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës çdo vendim dhe veprim pas kalimit të afatit 30-ditor të saj, apo datës 26 korrik, raporton Nacionale.

Kushtetuesja bëri të ditur se kjo masë e përkohshme ku deputetët nuk do të mund të marrin vendime apo veprime për konstituimin e Kuvendit, do të jetë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Në vendimin e saj, Gjykata konsideronte se çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas datës 26 korrik deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës.

Tutje thuhet se Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik e që përfshijnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend.

“Prandaj, ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas 26 korrikut 2025 është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhej në vendim.

Vendimi për masë të përkohshme është i ndërlidhur me rastin që e kanë dërguar deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ku kontestohet vendimi i Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025.

Megjithatë Gjykata e nxori këtë vendim për masë të përkohshme “ex-officio”, pa qenë kërkesë e parashtruesve.

Në fillim të korrikut, PDK-ja i është drejtuar për vlerësim Gjykatës Kushtetuese, duke kontestuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për propozime për anëtarë të Komisionit për votim të fshehtë; hedhjen në votim të këtij komisioni; vetë votimin e komisionit; si dhe ndërprerjen e seancës pas mosmiratimit të komisionit.

Po ashtu, LDK-ja i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i sqarojë normat kushtetuese dhe të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, në lidhje me vazhdimin e seancës konstituive nga 29 qershori, pas aktgjykimit të 26 qershorit. Kjo parti beson se vazhdimet e fundit të seancës konstituive janë bërë “në kundërshtim të plotë” me Kushtetutën e Kosovës, si dhe me konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 qershori.

Të ngjashme

Të fundit