Analisti politik, Shemsi Jashari ka reaguar pas deklaratave të presidentes Vjosa Osmani nga ShBA-ja, ku ajo pohoi se presidenti amerikan Donald Trump ka ndërhyrë kohët e fundit për të parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të situatës në Kosovë nga ana e Serbisë.
Sipas Jasharit, është shqetësuese që për një rrezik të tillë i pari i Qeverisë së Kosovës, kryeministri në detyrë Albin Kurti, të mos ketë qenë fare i informuar, siç e ka deklaruar vetë ai publikisht.
“Morëm informacion prej presidentes që paskemi qenë në rrezik për një ndërhyrje të Serbisë në Kosovë që kryeministri para disa netëve në këtë studio tha që ‘s’e kam ditë’, që është shumë shqetësuese që i pari i vendit mos me ditë e i cili i menaxhon strukturat e sigurisë që nuk është i informuar për një rrezik të tillë. Presidentja po thotë ‘po’, tani – njëri nuk e ka mirë, për mos me thënë se njëri po gënjen”, tha Jashari në “Këndin e Debatit” në Tëvë1.
Ai ngriti shqetësimin se si është e mundur që informacionet e klasifikuara që presidentja merr nga institucionet e sigurisë nuk ndahen me kryeministrin, nëse ky i fundit me të vërtetë nuk ka qenë i informuar.
“Presidentja kur kthehet nga ShBA-ja duhet të pyetet se si është e mundshme që nuk i ndan informatat e klasifikuara që i merr prej organeve të sigurisë me kryeministrin, nëse kryeministrit dikush nuk i ka treguar”, tha analisti politik.
Jashari gjithashtu kritikoi qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara, duke thënë se sjellja e autoriteteve të Kosovës, sikur vendi është i vetëmjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për partnerë ndërkombëtarë, është tejet problematike.
“Nëse e kemi jetike me pas një raport kaq të mirë me SHBA-në që na mbështet e na mbron edhe kur ne nuk e dimë, qasja jonë ndaj tyre është shumë shqetësuese. Kemi ambasadën amerikane pa zot shpie – është sinjal që dikush nuk po na konsideron aq të rëndësishëm sa që me na dërgu edhe ambasadorin. Nuk po e besoj që është mbet qeveria amerikane pa kuadro që mos me dërgu një ambasador këtu”, deklaroi Jashari.