Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, në një prononcim për Front Online, ka kritikuar qeverinë për sic tha ai diskriminimin e veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve, duke e cilësuar këtë si një tregues të politikave anti-UÇK.
Ai tha se qeveria vazhdon të godasë këto grupe, duke injoruar ligjet dhe detyrimet ndaj tyre.
“Ky është diskriminimi i radhës dhe treguesi i radhës i kësaj qeverie që është anti-UÇK, sepse çdo herë, po godet aty ku nuk duhet me goditë, por megjithatë shpresojmë që këto çështje duhet të rregullohen”, tha ai.
Ai shtoi se me konstituimin e Kuvendit dhe fillimin e punës së tij, Shoqata do të adresojë çështjen e trajtimit të veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe do të kërkojë nga qeveria që të zbatojë ligjin.
“Mendoj se me kosntituimin dhe fillimin e punës të parlamentit ne do t’i adresojmë. Por edhe qeverisë që të obligohet t’i zbatoje ligjet sepse deri me tani zbatueshmëria e ligjeve edhe pse janë në funksion është e mangët dhe nuk zbatohet komplet. Këto kategori të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës trajtohen me ligj të veçantë dhe ky ligj i obligon që Qeveria e Republikës së Kosovës ta zbatojë në plotni ligjin që është aprovu ne Parlamentin e Republikës se Kosovës”, shtoi ai.
Jashari për Front Online, ka shprehur edhe shqetësimin se Qeveria e Kosovës nuk ka ofruar asnjë ngritje të pensioneve, duke e përkeqësuar situatën për veteranët dhe familjet e dëshmorëve, sidomos në krahasim me inflacionin dhe nevojat e tyre.
“Absolutisht, që nga Qeveria Thaçi nuk ka pasur ngritje të pensioneve krahasuar me inflacionin, krahasuar me nevojat për këto kategoria. Ndihma e shtetit që nuk është pension por është benificion, benifitet që i marrim nga Qeveria e Republikës se Kosovës, mund të konsiderohen raste sociale që besoj që është turp dhe mjerim i këtyre institucioneve që këto kategori të jetojnë me një gjendje të tillë, me një përkujdesje të tillë nga institucionet e Republikës së Kosovës”, përfundoi ai.