24.2 C
New York
Friday, July 18, 2025

Buy now

Jasharaj për Qeverinë Kurti: S’kishin vullnet për dialog, nuk përjashtojmë as grevën në shtator

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka hedhur akuza ndaj Qeverisë në detyrë të Albin Kurtit, duke e cilësuar si një ndër periudhat më të vështira për sindikatën që ai drejton.

Në një konferencë për media të premten, Jasharaj tha se për katër vite me radhë Qeveria Kurti ka refuzuar dialogun me sindikatën, ndërsa ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, sipas tij, ka treguar mungesë të vazhdueshme të gatishmërisë për bashkëbisedim.

“Këto katër vite kanë qenë ndër më të vështirat për SBASHK-un. Qeveria nuk deshi dialog dhe kjo është e dhimbshme për neve,”, theksoi Jasharaj.

Ai shtoi se me fillimin e vitit të ri shkollor, mund të përballen me probleme, pasi nuk e dinë saktësisht se kujt t’i drejtohen për çështjet që i prekin mësimdhënësit.

Duke folur për kongresin e fundit të SBASHK-ut, Jasharaj tha se janë dakorduar të ndjekin rrugën institucionale, por nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, nuk përjashtohet as greva.

“U dakorduam që të vazhdojmë përmes dialogut institucional, por nëse edhe qeveria e re ndjek të njëjtën qasje si kjo në detyrë, jemi të detyruar të reagojmë,”, paralajmëroi ai.

Sipas tij, protestat dhe greva e përgjithshme janë të mundshme që në shtator, nëse institucionet vazhdojnë të jenë të mbyllura ndaj kërkesave të SBASHK-ut.

“Kongresi i ka dhënë autorizim organeve të SBASHK-ut të ndërmarrin veprime sipas situatës në terren,”, u shpreh Jasharaj.

Ndër kërkesat kryesore të sindikatës është rritja e koeficientit të pagave, për të cilin Jasharaj tha se nuk është rritur as sa inflacioni që nga janari i vitit 2024.

Të ngjashme

Të fundit