Adnan Januzaj është gati për ta bërë debutimin e tij me fanellën e Las Palmasit në La Liga.
Mediumet spanjolle kanë shkruar të mërkurën se Januzaj është rikuperuar plotësisht nga lëndimi që e mbajti një muaj jashtë fushe dhe tek Las Palmasi po llogaritin në të për ndeshjen e radhës.
Januzaj pritet të ketë minutazhë në duelin që Las Palmasi e luan në shtëpi kundër Athletic Bilbaos në kuadër të xhiros së pestë, ndeshje kjo që luhet të dielën prej orës 18:30.
29-vjeçari në afatin kalimtar të verës u huazua nga Sevilla tek Las Palmasi, ekip për të cilin ende nuk ka debutuar këtë sezon për shkak të lëndimit që e pësoi në fazën përgatitore.
Januzaj e njeh mirë kampionatin spanjoll pasi ka luajtur edhe për Real Sociedadin, ndërsa karrierë ka bërë edhe në Turqi, Angli e Gjermani.
Aktualisht, Las Palmasi ka dy barazime dhe dy humbje në katër xhirot e para dhe me dy pikë të mbledhura renditet në pjesën e poshtme të tabelës.