Jannik Sinner po e mbyll vitin 2025 me një tjetër sukses spektakolar, këtë herë në turneun luksoz “Six Kings Slam” në Riad të Arabisë Saudite, ku mposhti rivalin e tij Carlos Alcaraz në finalen me rezultat 2-6, 4-6.
Fitorja nuk i solli vetëm një çek të majmë, por edhe një raketë të artë me vlerë 250 mijë euro, e punuar tërësisht nga ari i pastër – një dhuratë simbolike që një vit më parë i ishte dhënë Rafael Nadalit. Çmimin ia dorëzoi Turki Al Sheikh, ministri i argëtimit në Arabinë Saudite dhe ish-pronar i klubit Almeria.
Në total, Sinner ka përfituar 7.5 milionë dollarë nga ky turne – 1.5 milionë për pjesëmarrje dhe plot 6 milionë për triumfin final. Duke përfshirë edhe fitimet e tjera të sezonit në garat e ATP-së, ku kishte grumbulluar mbi 12 milionë dollarë, italiani arrin tashmë shifrën marramendëse prej 20 milionë dollarësh vetëm për vitin 2025.
Kështu, 24-vjeçari italian e kalon Alcarazin edhe në aspektin financiar. Spanjolli, i cili fitoi 1.5 milionë për pjesëmarrjen dhe humbi 6 milionëshin e kampionit, mbetet me 16 milionë dollarë fitime për këtë vit.
Ky turne, megjithëse nuk është pjesë e kalendarit zyrtar të ATP-së, konsiderohet si ngjarja me shpërblimin më të madh në historinë e tenisit, dhe tashmë për të dytin vit radhazi e ka fituar Sinnerin, që dominoi në fushat e Arabisë Saudite.
Carlos Alcaraz, që në ceremoninë e ndarjes së çmimeve nuk mundi t’ia ndante sytë “raketës së artë”, e pranoi me humor në një intervistë për MARCA: “Do të doja ta kisha edhe unë një ditë atë raketë”.
Sinner me raketë të artë me vlerë 250 mijë euro
Me këtë sukses, Sinner ngjitet në krye të listës së fitimeve për vitin 2025, duke forcuar rivalitetin e madh që tashmë po shtrihet edhe jashtë fushës. Në karrierë, italiani ka arritur tashmë mbi 49 milionë dollarë, ndërsa Alcaraz mban 53.9 milionë dollarë që nga debutimi i tij profesional në vitin 2020.