26.2 C
New York
Monday, September 15, 2025

Buy now

James Rubin dridh muret e gjykatës – krejt çka tha për luftën e drejtë të UÇK-së

- Advertisement -

Muret e sallës së gjyqit brenda Gjykatës Speciale, “janë dridhur” sot nga zëri kumbues i James Rubin, ish-zyrtarit të lartë amerikan, i cili nisi dëshminë për luftën e drejtë të UÇK-së dhe udhëheqësve të saj.

Si përkrahës i zgjidhjeve diplomatike për krizën në Kosovë dhe stabilitetin në rajon, njashtu i drejtë dhe i buzëqeshur, Rubin hyri në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, për të “çmontuar” kauzën e Prokurorisë Speciale ndaj çlirimtarëve kosovarë, transmeton Klankosova.tv.

Në nisjen e dëshmisë së tij, qysh herët në mëngjesin e së hënës, ish-diplomati amerikan kujtoi takimet me Hashim Thaçin, e që në karrigen e dëshmitarit ishte thirrur po nga mbrojtja e tij.

“Më kujtohet takimi i parë me Thaçin, ishte kohë e vështirë, nuk kishte ndonjë pushtet. Herën e parë [pas luftës] jemi takuar në Nju Jork pasi ishte bërë kryeministër. Unë u habita shumë, sepse ai kishte kaluar nga nja djalë i ri që punonte në rrethana të vështira, dhe ishte bërë kryeministër. Pra kishin kaluar katër-pesë vite. Hera e fundit që jemi takuar ka qenë rreth vitit 2018, kur po punoja në Uashington”, tha Rubin.

Teksa dëshmonte për kohërat e errëta të Kosovës në vitet e 90-ta, James Rubin foli për përpjekjet e arritjes së paqes.

“Donim që të arrinim një mes të artë për të gjithë. Ta mbushnim mendjen serbe për paqe, por edhe të arrihej Pavarësia e Kosovës”, ka deklaruar Rubin.

Por për Thaçin, tha Rubin, nënshkrimi i ndonjë deklarate që s’e specifikonte pavarësinë, do të konsiderohej tradhti.

E Pavarësinë e Kosovës, ish-diplomati tha se e mbështesnin fuqishëm, megjithëse këtë shqiptarëve nuk mund t’ua kumtonin aq lirshëm.

Nga themelimi i shtetit të pavarur të Kosovës, Rubin foli për rolin e Thaçit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe bazuar në dëshminë e tij, ish-presidenti nuk kishte kompetenca brenda UÇK-së, por se urdhrat i merrte nga komandantët të tjerë.

“Ai (Thaçi) nuk kishte mundësi të diktonte asgjë, por pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra (brenda UÇK-së) dikur e fshehur e udhëheqjes shqiptare që merrnin vendime në grup, që nuk ishin gjithmonë të pranishëm, ai duhet të merrte leje prej tyre. Nuk ishte në gjendje të diktonte rregulla dhe kushte, kur ne donim të bënim diçka të rëndësishme ai komunikonte me persona të tjerë”, tha Rubin.

Megjithëse sipas dëshmitarit, Thaçi ishte zëri dhe fytyra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sa i përket akuzave se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e drejtues të tjerë të UÇK-së kanë ekzekutuar apo vrarë njerëz, Rubin hodhi poshtë këto pretendime.

I njëjti tha se nuk kishin mbledhur asnjëherë prova apo nuk posedonin informacione që një gjë e tillë kishte ndodhur ndonjëherë.

James Rubin u pyet edhe për marrëdhëniet e Thaçit me Shtetet e Bashkuara, e që sipas tij raportet mes tyre ishin të veçanta dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme për ish-kreun e UÇK-së.

“Sipas meje, prioriteti i tij më i madh ishte të kishte mbështetjen e udhëheqjes amerikane”, tha Rubin gjatë dëshmisë së tij.

Ai nënvizoi se, në asnjë moment, nuk kishte vërejtur te Thaçi ndonjë sjellje apo qasje që do të rrezikonte këtë mbështetje.

Gjatë dëshmisë së tij, Rubin deklaroi se qeveria serbe gjithnjë është munduar të fajësojë UÇK-në, duke shtuar se serbët ishin të përfshirë në operacionin për të fshehur provat.

“Serbët ishin të përfshirë në operacionin për të fshehur provat, absolutisht që po. Karakteristikë që kemi parë në Bosnjë, dhe kemi parë përsëri në Kosovë. Ata gjithmonë janë përpjekur të fajësojnë UÇK-në, pra qeveria serbe. Kjo është mënyra që janë përpjekur ta justifikojnë atë që po bënin duke hedhur fajin mbi të tjerët”, deklaroi ai.

Dhe me buzëqeshjen e tij dhe qartësinë që pati përgjatë dëshmisë, tregoi edhe një herë se Amerika është në krahë të Kosovës, dhe çlirimtarëve të saj.

Dëshmia e tij po vazhdon ende

Të ngjashme

Të fundit