19.3 C
New York
Wednesday, September 17, 2025

Buy now

James Rubin, Amanpourit: Jam në Hagë si dëshmitari kyç mbrojtës për Thaçin (VIDEO)

- Advertisement -

Ish-Ndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan, James Rubin, ka qëndruar për tre ditë në Hagë, për të marrë pjesë si dëshmitari kryesor i mbrojtjes për ish-krerët e UÇK-së, gjegjësisht për ish-presidentin Hashim Thaçi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ai ka folur me gazetaren e njohur, Christiane Amanpour, mbi këtë çështje.

Duke iu referuar DhSK-së, Amanpur thotë se në Hagë gjendet selia e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, ku Rubin do të dëshmojë për ish-presidentin e Kosovës të cilin thotë se ai e njohu shumë mirë që nga lufta.

“Po. Quhet Dhomat e Specializuara të Kosovës. Më duhet të them në fillim se gjykatësi më ka thënë tre-katër herë që nuk më lejohet të flasë për elemente specifike substanciale të dëshmisë sime. Por fakti se unë jam këtu është, natyrisht, në rregull. Të gjithë e dinë se jam këtu. Po dëshmoj si dëshmitari kyç i mbrojtjes për ish-presidentin e Kosovës”, u shpreh Rubin në fillim të kësaj bisede.

Ai thotë se është e gabuar të gjykohet një popull për veprimet e ndonjë individi.

Në ndërkohë, Rubin flet edhe për aktakuzën ndaj kriminelit Sllobodan Millosheviq, çështje për të cilën ai thotë se e pati shqetësuar.

“Më duhet të pranoj se isha paksa i shqetësuar sepse, nëse ju kujtohet, ne po tentonim ta bënim Millosheviqin të kapitullonte, të hiqte dorë nga Kosova, e cila nga ata konsiderohet, e dini, si djepi i civilizimit serb. Të hiqte dorë nga pushteti në Kosovë. Dhe për ta bërë këtë, ai duhej të hiqte të gjitha forcat, të pranonte fitoren e NATO-s, dhe ne thoshim, pastaj të shkojë në Hagë”.

“Dhe tani kishim një shembull shumë të mirë. Ishte hera e parë që gjithçka funksionoi për mrekulli. Kosova, një prej arsyeve që jam krenar, është se e arritëm objektivin tonë. E ndalëm luftën. I larguam serbët nga Kosova. Tani Kosova është një vend demokratik. Millosheviqi ra nga pushteti dhe shkoi në Hagë. Dhe patëm një marrëveshje paqeje. Patëm vendosje të NATO-s me rrezik shumë të vogël për ushtarët”.

“Arritëm një qëllim ndërkombëtar me kompetencë”, u shpreh James Rubin, teksa tha se për dallim prej Irakut, Afganistanit ku nuk shkuan gjërat si duhet, “kjo nuk ishte vetëm gjëja e duhur për ta bërë për të parandaluar një gjenocid, por e bëmë si duhet”.

“E bëmë me mbështetjen e botës dhe madje e çuam Millosheviqin në Trubinalin për Krime Lufte ku edhe vdiq”, deklaroi ish-zyrtari i lartë i DASh-it.

Ndër të tjera, Rubin thotë se është bërë shumë skeptik me juristët ndërkombëtarë dhe me instrumentet ndërkombëtare.

“Jam bërë mjaft skeptik ndaj juristëve ndërkombëtarë dhe instrumenteve ligjore ndërkombëtare që pretendojnë të kryejnë politikën e jashtme amerikane ose ndërkombëtare. Ndonjëherë ligji pengon. Ndonjëherë legalizmat nuk janë mënyra më e mirë për të vepruar. Dhe mendoj se ka shumë raste të tilla. Kur të mbarojë ky gjyq, do t’ju jap një shembull mjaft të mirë të kësaj në rastin e Kosovës, ku politika ndërkombëtare takohet me të drejtën ndërkombëtare dhe bota nuk është më mirë për të, ku gjyqtarët dhe juristët marrin vendime bazuar në karrierat e tyre, jo bazuar në sundimin e ligjit, dhe pastaj njerëzit humbasin respektin për ligjin”, tha ai.

Rubin mbrojti edhe bombardimin e Radio Televizionit të Serbisë gjatë bombardimeve të NATO-s, duke thënë se ata po mbështesnin vrasjen masive të shqiptarëve të Kosovës.

“Ata i quajtën njerëzit e Clintonit kriminelë lufte për bombardimin e stacioneve televizive serbe që po mbështesnin vrasjen masive të shqiptarëve të Kosovës. Ky nuk është një krim lufte. Ky ishte një akt parandalimi i një gjenocidi. Dhe avokatët ndonjëherë marrin gjykime në duart e tyre për atë që është e drejtë dhe e gabuar”, tha James Rubin, ish-Ndihmës Sekretar i Shtetit Amerikan gjatë Administratës Clinton.

Kujtojmë se Rubin ka përfunduar dëshminë e tij mbrojtëse ndaj Hashim Thaçit në Hagë të mërkurën. /Klankosova.tv

*

Të ngjashme

Të fundit