27 C
New York
Wednesday, July 2, 2025

Buy now

“Jam t’u vdekë unë dhe fëmijët” – letra e Shote Galicës, dhurata e Azemit dhe fundi i saj në varfëri

- Advertisement -

Shote Galica, një prej heroinave më të mëdha të kombit shqiptar dhe gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës, përfundoi jetën në kushte shumë të rënda dhe në harresë totale, duke u përballur me sëmundje, varfëri dhe braktisje.

Në 98 vjetorin e ndarjes së saj nga jeta, sjellim një letër prekëse dërguar Ahmet Zogut, ku Shote Galica shkruante:

”Unë jam Shote Galica, gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Kam edhe katër fëmijë jetimë me vedi, janë fëmijët e luftërave të vramë për çlirim të Kosovës. Jam e shtrëngueme t’ju vnoj në dijeni se jam tuj vdekë unit bashkë me fëmijët jetim”.

Megjithatë, ndihma nuk i erdhi kurrë heroinës shqiptare. Ajo gradualisht po shuhej, ndërsa studiuesi Bedri Tahiri theksonte për Gjurmë Shqiptare, se për shkak të kushteve të vështira dhe të ftohtit të zgjatur, thuhet se mjekët u detyruan t’ia prisnin gishtat e dorës së djathtë.

Në kushtet më të vështira ekonomike, Shote Galica madje u detyrua të shesë edhe kalin e saj – një dhuratë e çmuar nga burri i saj Azem, i cili shërbente si simbol dhe ndihmë për të siguruar jetesën e fëmijëve jetimë.

Pas plagëve të marra gjatë betejave, Shote Galica u tërhoq në Shqipëri, fillimisht në fshatin Shullaz dhe më pas në fshatin Derven të Fushë-Krujës, ku jetoi në një shtëpi përdhese dhe në kushte shumë të vështira.

Në vitin 1927, në moshën 31 vjeçare, ajo ndërroi jetë në varfëri dhe në harresë të plotë në Fushë-Krujë, ku edhe sot prehet.

Kjo histori e dhimbshme rikthen në vëmendje sakrificat e jashtëzakonshme të Shote Galicës, e cila luftoi heroikisht për lirinë e Kosovës, por u braktis në nevojë nga ata që duhet ta mbështesnin.

Të ngjashme

Të fundit