Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbrëmë një tubim në Zvicër, ku kandidatja për deputete Edona Llaloshi e ka hapur aktivitetin me një këngë kushtuar kryetarit të partisë, Albin Kurti. Kjo paraqitje ka nxitur reagime të shumta në opinion.
Kandidatja për deputete nga LDK-ja, Sibel Halimi, ka reaguar ashpër ndaj mesazhit të këngës, duke theksuar se romantizimi i dhunës nuk mund të konsiderohet art.
“Romantizimi i dhunës nuk është art. Arti nuk është pushkë, as thirrje për të qëlluar. Arti është ndërgjegje, është pyetje, është dritë që e ndal dorën para dhunës”, ka shkruar Halimi, duke vënë në pikëpyetje vargun “Jam Albini, pushkë me qitë” dhe duke pyetur se kujt do t’i drejtoheshin plumbat.
Sipas Halimit, “pushka e artistit” duhet t’i drejtohet padrejtësisë si ide, e jo njerëzve, duke shtuar se Kosovës i duhet paqe dhe mirëqenie, e jo gjuhë që romantizon dhunën. Ajo ka theksuar se artistët kanë përgjegjësi të jenë zë i arsyes dhe i humanizmit, e jo “jehonë e instinkteve të errëta”.
Reagim ka pasur edhe nga sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka vlerësuar se ajo që u pa në tubimin e LVV-së në Zvicër përbën “një nivel tjetër të marrëzisë”. “Kur një deputete i kushton këngë liderit në një ngjarje të organizuar nga vet partia, dhe lideri rri aty duke rrahur shuplakë, kjo nuk është më thjesht shije e keqe apo folklor politik. Kjo është përtej marrëzisë dhe e rrezikshme”, ka shkruar Çitaku.






